Rusia i jep ultimatum Ukrainës: Përmbushni propozimet për të mirën tuaj - NACIONALE

Rusia i jep ultimatum Ukrainës: Përmbushni propozimet për të mirën tuaj

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i ka dhënë Ukrainës ultimatum për të përmbushur propozimet e Moskës, në të kundërtën “për çështjen” do të vendosë ushtria ruse.

"Propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi, eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë që burojnë prej andej, duke përfshirë tokat tona të reja, janë të njohura për armikun," ka thënë Lavrov, sipas agjencisë ruse TASS.

Bëhet e ditur se ai më tej ka shtuar se, “çështja është e thjeshtë: përmbushini ato për të mirën tuaj, ndryshe çështja do të vendoset nga ushtria ruse”.

Ultimatumi i fundit nga Rusia erdhi një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se Moska ishte e hapur për bisedime.

“Ne jemi gati të negociojmë me të gjithë të përfshirët për zgjidhje të pranueshme, por kjo varet nga ata – nuk jemi ne që refuzojmë të negociojmë, ata janë”, është shprehur presidenti rus për televizionin shtetëror Rossiya 1.

Kujtojmë se, pushtimi rus i Ukrainës , tashmë në muajin e njëmbëdhjetë ka shkaktuar konfliktin më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, e duke u bërë edhe konfrontimi më i madh midis Moskës e Perëndimit që nga kriza e raketave kubane në vitin 1962.

Vetëm ditën e hënë, u njoftua se një dron që besohet të jetë ukrainas, ka depërtur në hapësirën ajrore ruse duke shkaktuar një shpërthim vdekjeprurës në bazën kryesore ruse. Po të njejtën ditë, komanda ushtarake e Ukrainës ka njoftuar se forcat ruse kanë kryer gjithsej 19 sulme.

Lajme të ngjashme