Rusia i bie pishman për hyrjen e Ukrainës në BE, tash e kundërshton edhe këtë - NACIONALE

Rusia i bie pishman për hyrjen e Ukrainës në BE, tash e kundërshton edhe këtë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tha të mërkurën se Bashkimi Evropian është shndërruar në armik të vendit të tij që paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së Rusisë dhe se Moska tani është kundër anëtarësimit të Ukrainës në këtë bllok.

Rusia për një kohë të gjatë ka qenë kundër hyrjes së Ukrainës në NATO – njëra nga arsyet që i përmend për ta justifikuar vendimin për fillimin e luftës më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, Moska në të kaluarën ka pasur qëndrim më të relaksuar sa i përket mundësisë së anëtarësimit të Kievit në BE. Në qershorin e vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, kishte thënë se “nuk kishte asgjë kundër” një hapi të tillë dhe Kremlini në shkurt të këtij viti tha se hyrja e Ukrainës në Bashkimin Evropian është e drejtë sovrane e saj.

Sidoqoftë, Medvedevi, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, tha se BE-ja ka ndryshuar, nga një bllok ekonomik i përkushtuar për parandalimin e luftës, në atë që ai e quajti organizatë e politizuar antiruse që ngadalë po shndërrohet në një bllok ushtarak.

“Brukseli sot është një armik i vërtetë i Rusisë. Në formën e vet të tanishme të përdredhur, Bashkimi Evropian nuk është më pak kërcënim për ne sesa NATO-ja” – shkroi ish-presidenti rus në rrjetin “Telegram”.

Ai tha se, për këtë arsye, është gabim që të thuhet tani se Ukrainë duhet të jetë e lirë për t’u “anëtarësuar kudo që dëshiron” me përjashtim të NATO-s.

“BE-ja, e mbushur me armë... është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Rusisë. Kjo është saktësisht si duhet të trajtohet ajo. Të paktën derisa ta ndryshojë qasjen ndaj nesh. Rrjedhimisht, e ashtuqujatura (ideja) Ukraina në BE është rrezik për vendin tonë” – shtoi Medvedevi.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, ndërsa statusi i vendit kandidat iu dha vitin e kaluar.

Ish-presidenti rus tha se bashkëpunimi mes Rusisë dhe anëtarëve të caktuara të BE-së, megjithatë, duhet të vazhdojë. Ai nuk përmendi ndonjë shtet, por Hungaria dhe Sllovakia kanë mbajtur lidhje të mira me Putinin që nga fillimi i luftës në Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme