Rusia i bën një “dhuratë” ShBA-së para bisedimeve për Ukrainën, liron një amerikan
Një shtetas amerikan është liruar nga Rusia vetëm disa ditë pasi ishte ndaluar, para takimit të së martës mes zyrtarëve amerikanë e rusë me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve.
Në një konferencë për gazetarë të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se lirimi i amerikanit Kalob Byers mund të shihet në kontekstin e bisedimeve që po vijnë, raporton televizioni BBC.
“Përderisa të martën do të diskutohet rivendosja e marrëdhënieve, këto ngjarje mund të shihen në atë kontekst” – tha para gazetarëve zëdhënësi rus.
Byers-i ishte dërguar në ndalim më 7 shkurt, pasi kishte arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Vnukovo” të Moskës. Një qen nuhatës i kishte gjetur dy kavanoza me produkte kanabisi.
Amerikani pretendoi se këto produkte i ishin përshkruar nga një mjek në ShBA.
Javën e kaluar, një i burgosur tjetër amerikan, Marc Fogel, gjithashtu u lirua pasi ishte duke u mbajtur në Rusi nën akuza për drogë që nga viti 2021.