Rusia e vendosur për ta testuar vendosmërinë e NATO-s, thotë inteligjenca gjermane - NACIONALE

Rusia e vendosur për ta testuar vendosmërinë e NATO-s, thotë inteligjenca gjermane

5 ditë më parë

nga NACIONALE

Rusia është e vendosur për ta testuar vendosmërinë e NATO-s, përfshirë zgjerimin e konfrontimit me Perëndimin përtej kufijve të Ukrainës, sipas drejtorit të agjencisë gjermane për inteligjencë të jashtme.

Bruno Kahl, drejtor i Shërbimit Federal të Inteligjencës, tha se agjencia e tij ka tregues të qartë të inteligjencës se zyrtarët rusë besojnë që detyrimet e mbrojtjes kolektive, të rrënjosura në traktatin e NATO-s, nuk kanë më forcë praktike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne jem goxha të sigurt dhe kemi të dhëna të inteligjencës që tregojnë se Ukraina është vetëm një hap në udhëtimin drejt perëndimit. Kjo nuk do të thotë se ne presim që ushtri me tanke të nisen në perëndim, por shohim se premtimi i NATO-s për mbrojtje kolektive do të testohet” – tha ai.

Gjermania, tashmë furnizuesja e dytë më e madhe me armë dhe përkrahje financiare për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, është zotuar për ta shtuar mbështetjen e saj nën pushtetin e kancelarit Friedrich Merz, duke premtuar se do ta ndihmojë Kievin që të zhvillojë raketa të reja që do të mund të godisnin thellë brenda territorit rus.

Pa dhënë hollësi rreth natyrës së burimeve të tij, Kahl-i tha se zyrtarët rusë po parashikojnë ballafaqime që nuk përbëjnë angazhim të plotë ushtarak që do të testonin nëse Shtetet e Bashkuara do t’i përmbushnin vërtet detyrimet e tyre për mbrojtje të përbashkët sipas Nenit 5 të Traktatit Veriatlantik.

“Ata nuk kanë nevojë që të dërgojnë ushtri tankesh për këtë. Është e mjaftueshme që të dërgojnë burra të vegjël të gjelbër në Estoni për t’i mbrojtur pakicat ruse gjoja të shtypura” – paralajmëroi shefi i inteligjencës së jashtme gjermane.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 përfshiu pushtim të ndërtesave dhe zyrave nga ushtarë rusë me uniforma pa simbole dhe në rroba civile, të cilët do të njiheshin si “burra të vegjël të gjelbër”, kur Moska fillimisht e kishte mohuar identifikimin e tyre.

Gjermani Kahl nuk saktësoi se cilët zyrtarë në Moskë po e mendonin këtë skenar.

Merz-i, i cili e vizitoi Donald Trumpin në Uashington javën e kaluar, doli kundër pohimit të presidentit amerikan se Ukraina e Rusia janë si dy foshnja që po grinden mes vete, duke i thënë kreut të Shtëpisë së Bardhë se, përderisa Ukraina po e shënjestron ushtrinë ruse, Rusia po bombardon qytete ukrainase.

Kahl-i tha se kontaktet e tij me homologët amerikanë e kanë bindur që kërcënimin rus ta marrin seriozisht. “Ata e marrin këtë po aq seriozisht sa ne, faleminderit Zotit” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme