Rusia e sulmon rajonin Sumy të Ukrainës, së paku 14 të plagosur
Të paktën 14 persona, përfshirë një familje me tre fëmijë, u plagosën nga një sulm rus natën ndaj rajonit verior ukrainas, Sumy, tha të mërkurën kryeministrja ukrainase.
Sulmi ndodhi në kohën e përpjekjeve intensive nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia hodhi 15 dronë gjatë një sulmi në zonën Okhtyrka në orët e hershme të së mërkurës, thanë në rrjetin “Telegram” prokurorët lokalë.
Fëmijët e lënduar në sulmin që goditi një lagje banimi në qytezë ishin 5-muajsh, 4 dhe 6 vjeç, tha në rrjetin X kryeministrja Yulia Svyrydenko.
“Rusia vazhdon që t’i manifestojë frikat e saj përmes akteve të terrorizmit të pastër në mbarë Ukrainën, duke vënë në shënjestër edhe një herë shtëpi të familjeve dhe fëmijët e tyre që po flinin” – shtoi ajo.
Në përgjithësi, Rusia hodhi gjithsej 93 dronë dhe dy raketa për ta sulmuar Ukrainën gjatë natës, tha forca ajrore ukrainase, duke shtuar se 62 dronë dhe një raketë u rrëzua, ndërsa u regjistruan goditje në 20 lokacione.
Shërbimet Emergjente Shtetërore të Ukrainës raportuan për një “sulm masiv me dronë” në rajonin jugor Odesa, duke thënë se një person u plagos dhe një zjarr i madh shpërtheu në një qendër të energjisë dhe karburanteve.
Zyrtarët në distriktin Izmail të rajonit Odesa thanë se infrastruktura e portit në qytet u dëmtua./Nacionale