Rusia e sulmon qytetin e lindjes të Zelenskyt, vriten katër njerëz
Së paku katër persona janë vrarë e 30 të tjerë janë lënduar nga një sulm rus me raketë në qytetin Kryvyi Rih të Ukrainës, ku është lindur presidenti Volodymyr Zelensky, tha guvernatori rajonal.
Guvernatori Serhiy Lysak tha se raketa goditi një hotel në qytetin që shtrihet në pjesën qendrore të Ukrainës, duke dëmtuar edhe 13 blloqe banesore e 12 dyqane, raporton televizioni BBC.
Yuriy Sak, këshilltar në Ministrinë e Industrive Strategjike, e përshkroi rastin si sulm ndaj “një hoteli civil, paqësor”.
Për sulm rus u raportua edhe në qytetin bregdetar jugor, Odesa, për të cilin thuhet se “u sulmua masivisht”, sipas guvernatorit rajonal.
Guvernatori Oleh Kiper tha se në shënjestër të dronëve rusë u vu infrastruktura civile dhe energjetike, duke lënë të lënduar dy njerëz e duke shkatërruar një shtëpi dykatëshe.
Të enjten, presidenti Zelensky pritet të marrë pjesë në një takim të posaçëm të udhëheqësve evropianë në Bruksel, ku do të diskutohet për mbrojtjen./Nacionale