Rusia e sulmon Odesën për natën e katër rresht, në shënjestër drithi - NACIONALE

Rusia e sulmon Odesën për natën e katër rresht, në shënjestër drithi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një tjetër terminal i drithit në qytetin Odesa të Ukrainës është goditur nga një sulm rus, duke shkatërruar 100 tonë bizele dhe 20 tonë elb, sipas guvernatorit rajonal, Oleh Kiper.

Ai tha në një shkrim në rrjetin “Telegram” se dy persona janë lënduar nga shpërthimi i shkaktuar nga një raketë e llojit “Kalibr”, raporton gazeta “The Guardian”.

Kjo ishte nata e katërt rresht që forcat ruse kryen sulme ndaj qytetit jugor bregdetar të Ukrainës.

Më vonë, guvernatori Kiper tha se në shënjestër kësaj radhe nuk ishte infrastruktura e portit, por ndërmarrjet bujqësore.

“Pas tri netëve radhazi të terrorit të fuqishëm me raketa e dronë ndaj infrastrukturës së portit, ata i zgjodhën ndërmarrjet bujqësore në rajon”- shkroi zyrtari ukrainas.

“Dy raketa i goditën hambarët e njërës prej ndërmarrjeve bujqësore. Një zjarr shpërtheu dhe, përderisa zjarri po luftohej, u aktivizua alarmi i dytë ajror. Një raketë tjetër e goditi ndërmarrjen e njëjtë, duke i dëmtuar pajisjet bujqësore dhe të shpëtimit. Zjarri në një zonë prej më shumë se 200 metrash katrorë u asgjësua”- tha guvernatori.

“Armiku shkatërroi 100 tonë bizele dhe 20 tonë elb. Dy punëtorë të ndërmarrjes u lënduan”- shtoi ai.

Lajme të ngjashme