Rusia e sulmon qytetin Mykolaiv, raportohet për të vdekur
Ushtria ukrainase dhe guvernatori lokal në Mykolaiv kanë raportuar për viktima pas një sulmi rus në qytetin jugor bregdetar.
Qendra e qytetit u godit nga sulmi dhe një garazh e një ndërtesë trekatëshe e banimit u kapluan nga zjarri, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori Vitaliy Kim. Ai tha se nëntë persona janë lënduar, përfshirë pesë fëmijë, duke shtuar më vonë se ka edhe të vdekur, raporton gazeta “The Guardian”.
Ushtria ukrainase tha se dy persona janë dërguar në spital pas sulmeve në qytetin tjetër, Odesa. Në qytetin bregdetar tashmë ishin kryer sulme gjatë dy netëve, pasi Moska kishte njoftuar se do të tërhiqej nga marrëveshja për eksportimin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi.
Më herët, ushtria ukrainase kishte paralajmëruar se të dyja këto qytete ishin duke u vënë në shënjestër për sulme me raketa të tipit “Kh-22” anti-anije.
Në juglindje të Odesës e Mykolaivit, autoritetet në Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në zonën ku më herët kishte ndodhur një sulm me dron.
