Rusia e respekton urdhërarrestin e ShBA-së, arreston një të kërkuar nga Uashingtoni
Policia në Shën Petersburg të Rusisë kanë ndaluar një burrë izraelito-kanadez që është në kërkim nga Shtetet e Bashkuara nën dyshimin për mashtrim të shkallës së lartë në lidhje me një skemë të paligjshme në internet për tregti me aksione, njoftuan autoritetet ruse të drejtësisë.
Ky person, i quajtur Joshua Cartu, kërkohet, bashkë me vëllezërit e tij, David dhe Jonathan dhe disa të tjerë, nën dyshimin se ka operuar një skemë mashtruese të tregtisë me opsione binare në periudhën nga viti 2013 deri më 2018 me të cilën ishin mashtruar investitorë të miliona dollarëve, sipas një deklarate të Komisionit Për Tregti të Mallrave të ShBA-së, publikuar në maj të vitit 2020.
Shërbimi i gjykatave në Shën Petersburg tha se Cartu u ndalua të hënën në aeroportin “Pulkovo”, duke e identifikuar atë si shtetas të Izraelit dhe Kanadasë dhe tha se ai “kërkohej nga Shtetet e Bashkura të Amerikës”. Nuk qe menjëherë e qartë se kur kishte arritur Cartu në Rusi.
Të mërkurën, gjykata e zgjati kohën e mbajtjes së tij në ndalim për 72 orë. Agjencia “Reuters” nuk arriti të vërtetonte nëse Cartu kishte avokat.
Ambasadat e Kanadasë dhe Izraelit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Gjykata tha se Cartu ishte akuzuar sipas statutit rus për mashtrim, që bart dënim maksimal prej dhjetë vitesh burgim.
“Cartu nuk është i punësuar, nuk ka vend të përhershëm banimi në Shën Petersburg, pro ka një pasaportë të një shtetasi të hauaj, që ia bën të mundshëm kalimin e kufirit të Federatës Ruse pa pengesë, rrjedhimisht duke parandaluar një inspektim ekstradimi” – tha gjykata.