Rusia e paralajmëron Ukrainën: Kushtet për paqe veç do të përkeqësohen
Një zyrtar i lartë rus i tha Ukrainës të martën se sa më gjatë që ky vend pret për të hyrë në bisedime të paqes, aq më të vështira do të bëhen kushtet për popullin ukrainas.
Sergei Shoigu, ish-ministër i Mbrojtjes dhe tani sekretar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, tha se që nga propozimi i kushteve të paqes nga presidenti Vladimir Putin më 14 qershor, Ukraina ka humbur 420 kilometra katrorë të territorit dhe shumë gjak, raporton agjencia “Reuters”.
Moska ka thënë se bisedimet duhet të mbështeten në dorëzimin e rreth një të pestës së territorit nga Ukraina dhe në heqjen dorë nga mundësia për anëtarësim në NATO në të ardhmen, kushte që Ukraina i ka hedhur poshtë.
“Dritarja e mundësisë për Ukrainën po ngushtohet” – tha Shoigu në televizionin shtetëror, duke shtuar se Ukraina nuk është përgjigjur dhe do të humbë më shumë territor, sa më shumë që e shtyn hyrjen në bisedime.
“Iluzionet e regjimit të Kievit se evropianët do të organizojnë një samit tjetër të bukur të paqes, ... në të cilin problemet e tyre të brendshme do të zgjidhen vetë, po i kushtojnë shumë popullit të Ukrainës” – shtoi më tej zyrtari i lartë rus.
Pas dërgimit të trupave në Ukrainë më 2022, Rusia tani ka nën kontroll rreth 18 për qind të territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e kishte aneksuar në mënyrë të njëanshme më 2014.
Moska gjithashtu mban nën kontroll pjesë të mëdha të katër rajoneve në juglindje të Ukrainës, të cilat Putini ka thënë se Kievi duhet t’i dorëzojë plotësisht, duke bërë pretendime historike e kulturore.