Rusia e mohon akuzën se bëri pak për Iranin: I dënuam sulmet amerikane e izraelite
Kremlini të martën i kundërshtoi kritikat se nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta përkrahur Iranin, duke thënë se kishte marrë një “pozicion të qartë” duke i dënuar sulmet amerikane e izraelite ndaj Teheranit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka dënuar ato që i ka quajtur sulme “të pajustifikuara” të ShBA-së ndaj qendrave bërthamore në Iran, shtet me të cilin ai nënshkroi një traktat për bashkëpunim strategjik në janar. Putini tha të hënën se Rusia do të mundohet që ta ndihmojë popullin iranian, edhe pse nuk dha ndonjë informacion specifik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Burimet e agjencisë “Reuters” thanë më herët këtë javë se Irani nuk kishte qenë i mahnitur me përkrahjen nga Rusia deri më tani.
Kur u pyet për krahasimet me rrëzimin e ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, vitin e kaluar, kur Moska refuzoi që të dërgonte trupa ose më shumë fuqi ajrore për ta mbajtur në pushtet aleatin e saj, Kremlini tha se disa njerëz po mundohen që ta prishin partneritetin mes Rusisë e Iranit.
“Rusia në të vërtetë e përkrahu Iranin me pozicionin e qartë të saj” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, e kishte çmuar qëndrimin e Moskës, kur u takua të hënën me Putinin.
Peskovi tha se ishte ende shumë herët për ta vlerësuar dëmin e shkaktuar nga sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit. “Ca informacion është duke ardhur përmes kanaleve të duhura, por prapë është shumë herët. Zor se ndokush ka një të kuptuar të qartë tani për tani” – shtoi ai.
Kur u pyet për një raport të agjencisë “Reuters” se kryediplomati iranian i kishte sjellë një letër Putinit nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, Peskovi tha se nuk ka pasur dokument të shkruar që është dorëzuar.
“Fakti që pati mesazhe të caktuara nga udhëheqja e Iranit është i vërtetë, por ky raport i “Reuters”-it nuk është i vërtetë” – tha Peskovi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të hënën për një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Iranit, duke i dhënë fund potencialisht luftës 12-ditore që detyroi miliona iranianë që të largoheshin nga Teherani dhe shkaktoi frikë për përshkallëzim të mëtejmë në rajonin e kapluar nga luftërat./Nacionale