Rusia e mbështet presidenten e përkohshme të Venezuelës, godet “rreziqet neokolonialiste”
Rusia të martën e mirëpriti emërimin e zonjës Delcy Rodriguez si presidente të përkohshme të Venezuelës, duke e cilësuar si hap për t’i garantuar paqen dhe stabilitetin përballë “rreziqeve të hapura neokolonialiste dhe agresionit të huaj të armatosur”.
“Ne në mënyrë të vendosur këmbëngulim që Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për ta përcaktuar fatin e vet pa asnjë ndërhyrje të jashtme destruktive” – tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në deklaratë nuk përmenden me emër Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, të shtunën dërgoi forca speciale për ta kapur homologun e tij venezuelas, Nicolas Maduro, e për ta dërguar në ShBA, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat që ndërlidhen me drogën, duke këmbëngulur se ai mbetet udhëheqësi legjitim i vendit të tij.
“Ne i mirëpresim përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet zyrtare të këtij vendi për t’i mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe interesat kombëtare. Ne e ripohojmë solidaritetin e palëkundur me popullin dhe qeverinë venezuelase” – thuhet në deklaratën e ministrisë ruse, ku shtohet se Moska do të vazhdojë që ta ofrojë “mbështetjen e nevojshme”.
Maduroja është aleati i dytë i ngushtë i Rusisë që rrëzohet nga pushteti brenda pak më shumë se një viti, pas rrëzimit të ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetorin e vitit 2024.
Megjithatë, një burim i lartë rus i tha agjencisë “Reuters” këtë javë se nëse Trumpi do ta imponojë Doktrinën e ringjallur të Monroe-s për mbizotërimin e ShBA-së në Hemisferën Perëndimore, atëherë Rusia gjithashtu ka të drejtë që ta ketë sferën e vet të ndikimit.
Vetë presidenti rus, Vladimir Putin, ende nuk e ka komentuar rrëzimin e Maduros nga homologu amerikan. Ai është përkujdesur që të mos e kritikojë Trumpin që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë./Nacionale