Rusia e kishte pritur me muaj sulmin e Ukrainës në Kursk, sipas dokumenteve të kapura - NACIONALE

Rusia e kishte pritur me muaj sulmin e Ukrainës në Kursk, sipas dokumenteve të kapura

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komanda ushtarake ruse e kishte pritur sulmin e Ukrainës me futje të ushtarëve në rajonin e Kurskut dhe për disa muaj kishte qenë duke bërë plane për ta parandaluar atë, sipas një grumbulli dokumentesh që ushtria ukrainase thotë se i ka konfiskuar nga pozicionet e braktisura ruse në rajon.

Ky zbulim e bën edhe më të turpshme rrëmujën në mesin e forcave ruse pas sulmit ukrainas në fillim të gushtit. Dokumentet, që janë ndarë edhe me gazetën “The Guardian”, gjithashtu i zbulojnë shqetësimet e rusëve për moralin në rangje në Kursk, të cilat u shtuan pas vetëvrasjes së një ushtari në front që thuhet se kishte qenë në “gjendje të zgjatur depresioni për shkak të shërbimit të tij në ushtrinë ruse”.

Në dokumentet e zbuluara, komandantëve të njësiteve u jepen udhëzime për t’u siguruar që ushtarët të konsumojnë media shtetërore ruse përditë për ta mirëmbajtur “gjendjen psikologjike” të tyre.

Gazeta britanike nuk ka mundur që në mënyrë të pavarur ta vërtetojë autenticitetin e dokumenteve, edhe pse ato i bartin shenjat dalluese të komunikimit të vërtetë të ushtrisë ruse. Në fund të gushtit, reporterët e gazetës u takuan me ekipin ukrainas të operacioneve speciale që i kishte konfiskuar dokumentet, disa orë pasi ishin larguar nga territori rus.

Ky ekip tha se kishte konfiskuar dokumente të Ministrisë së Brendshme të Rusisë, të shërbimit të inteligjencës FSB dhe të ushtrisë nga disa ndërtesa në Kursk dhe më vonë ofruan një përmbledhje për ta parë dhe për ta fotografuar.

Disa prej dokumenteve janë urdhra të shtypur në letër e të shpërndarë për njësite të ndryshme, ndërsa të tjerat janë dorëshkrime ku regjistrohen ngjarje dhe shqetësime në pozicione specifike. Shënimet më të vjetra i mbajnë datat e pjesës së parë të vitit 2023, ndërsa dokumentet më të reja janë vetëm gjashtë javë para se Ukraina ta niste sulmin në Kursk më 6 gusht.

Në një dokument që e mban datën 4 janar bëhet fjalë për “potencialin për një përparim në kufirin shtetëror” nga grupet e armatosura ukrainase dhe jepet urdhër për shtim të trajnimeve për t’u përgatitur që çfarëdo sulmi të sprapsej. Më 19 shkurt, komandantë të njësive ishin paralajmëruar për planet ukrainase për “një shtytje të shpejtë nga rajoni Sumy në territorin rus, me thellësi deri në 80 kilometra, për të ndërtuar një korridor 4-ditor para arritjes së njësiteve kryesore të ushtrisë ukrainase me automjete të blinduara”.

Në mesin e marsit, njësitet në kufi ishin urdhëruar për t’i përforcuar vijat e mbrojtjes dhe për të “organizuar ushtrime shtesë për udhëheqësinë e njësiteve dhe pikat e forta në lidhje me organizimin e duhur të mbrojtjeve” në përgatitje për një sulm ukrainas matanë kufirit./Nacionale

Lajme të ngjashme