Rusia e Bjellorusia nënshkruajnë traktat për garancitë e sigurisë
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij bjellorus, Alexander Lukashenko, nënshkruan të premten në Minsk një traktat për garancitë reciproke të sigurisë, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
Dy udhëheqësit, që janë aleatë të ngushtë, u takuan në kryeqytetin bjellorus për ta shënuar 25-vjetorin e Shtetit Union, union dhe aleancë pa kufij mes dy ish-republikave sovjetike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Putini tha se traktati i nënshkruar “do të bëjë të mundshme që në mënyrë të besueshme të mbrohet siguria e Rusisë dhe Bjellorusisë, duke i krijuar kështu kushtet për zhvillim të mëtejmë paqësor e të qëndrueshëm të dy shteteve”, sipas agjencisë TASS.
Udhëheqësi i Kremlinit muajin e kaluar i miratoi ndryshimet me të cilat është ulur pragu për nisjen e një sulmi bërthamor dhe është zgjeruar ombrella bërthamore e Rusisë, duke e mbuluar edhe Bjellorusinë.
Armët bërthamore ishin tërhequr nga Bjellorusia pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, por Putini njoftoi vitin e kaluar se Rusia do të vendoste në këtë shtet raketa bërthamore taktike si parandalim ndaj Perëndimit.
Lukashenkoja, në pushtet në Bjellorusi që nga viti 1994, tha në tetor se për çfarëdo përdorimi të armëve bërthamore ruse tani të dislokuara në Bjellorusi nevojitet miratimi i tij personal.
Moska dhe Minsku rregullisht mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe një bllok ushtarak i udhëhequr nga Rusia pritet të zhvillojë ushtrime në Bjellorusi në shtatorin e vitit të ardhshëm./Nacionale