Rusia dënon me burgim tre avokatë të opozitarit të ndjerë Navalny - NACIONALE

Rusia dënon me burgim tre avokatë të opozitarit të ndjerë Navalny

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tre avokatë që dikur e përfaqësonin udhëheqësin opozitar rus tashmë të ndjerë, Alexei Navalny, të premten u dënuan me burgim në Rusi si pjesë e shtypjes së pakënaqësisë që ka arritur në nivele që nuk janë parë që nga periudha sovjetike.

Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Alexei Lipster u dënuan me burgim nga tre vjet e gjysmë deri në pesë vjet nga një gjykatë në qytezën Petushki, rreth 100 kilometra në lindje të Moskës. Ata ishin arrestuar në tetorin e vitit 2023 nën akuzën për përfshirje në grupe ekstremiste, siç cilësohen rrjetet e Navalnyt nga autoritetet ruse, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Rasti është parë gjerësisht si mënyrë për ta shtuar trysninë ndaj opozitës për t’i dekurajuar avokatët mbrojtës nga marrja përsipër e rasteve gjyqësore politike.

Në atë kohë, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 19 vjet burgim për disa dënime penale, përfshirë ekstremizmin. Ai vdiq në një burg rus në shkurtin e vitit 2024.

Gazeta e pavarur ruse, “Novaya Gazeta”, raportoi se Kobzevi tha në deklaratën përfundimtare në gjykatë më 10 janar se “ne po gjykohemi për transmetimin e mendimeve të Navalnyt te njerëzit e tjerë”.

Rrjetet e Navalnyt u cilësuan si ekstremiste pas një vendimi të vitit 2021, me të cilin organizatat e tij ishin shpallur të paligjshme – Fondacioni për Luftimin e Korrupsionit dhe një rrjet i zyrave rajonale – duke u ciëlsuar si grupe ekstremiste.

Lajme të ngjashme