Rusia arreston një zyrtar tjetër të lartë të mbrojtjes nën akuza për ryshfet - NACIONALE

Rusia arreston një zyrtar tjetër të lartë të mbrojtjes nën akuza për ryshfet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i dytë i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë është arrestuar nën akuza për ryshfetm thanë zyrtarët të martën, disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin e zëvendësoi ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se Gjeneral Lejtënant Yuri Kuznetsov, shef i drejtorisë kryesore të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, është arrestuar nën akuzën për ryshfet dhe është duke u mbajtur në ndalim në pritje të hetimit dhe gjykimit, raporton agjencia “Associated Press”.

Kuznetsovi akuzohet se ka marrë një ryshfet jashtëzakonisht të lartë, akuzë e dënueshme me deri në 15 vite burgim. Autoritetet zhvilluan kërkime në shtëpinë e tij dhe në prona të tjera dhe konfiskuan monedha, gjësende luksoze dhe mbi 100 milionë rubla (pak më shumë se një milion dollarë) para të gatshme, thuhet në deklaratën e Komitetit Hetues.

Të dielën, Putini e zëvendësoi ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, me Andrei Belousovin, ekspert i ekonomisë dhe ish-zëvendëskryeministër. Putini e emëroi Shoigun në postin e sekretarit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, duke e zëvendësuar Nikolai Patrushevin.

Zëvendësi i Shoigus, Timur Ivanov, u arrestua muajin e kaluar nën akuza për ryshfet dhe u lëshua urdhër që të mbahet në ndalim deri në zhvillimin e hetimit zyrtar. Arrestimi i tij u pa gjerësisht si sulm ndaj Shoigus dhe veprim pararendës ndaj shkarkimit të tij.

Shoigu është parë gjerësisht si figurë kyçe prapa vendimit të Putinit për të dërguar trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Ai dhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Valery Gerasimov, janë ballafaquar me kritika të ashpra nga rusët për dështimet ushtarake, përfshirë dështimin për ta kapur kryeqytetin ukrainas, Kiev, në javët e para të pushtimit.

Lajme të ngjashme