Rusia afër arritjes së qëllimeve në luftën e Ukrainës, thotë kryespiuni Naryshkin - NACIONALE

Rusia afër arritjes së qëllimeve në luftën e Ukrainës, thotë kryespiuni Naryshkin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i agjencisë ruse për inteligjencë të jashtme, Sergey Narashkin, tha tëmartën se Rusia është afër arritjes së qëllimeve të saj në Ukrainë, pasi, sipas tij, Moska është duke e mbajtur nismën strategjike në të gjitha fushat e luftës.

“Situata në vijën e frontit nuk është në favorin e Kievit” – i tha Naryshkini, drejtor i Shërbimit për Inteligjencë të Jashtme (SVR) publikimit zyrtar të kësaj agjencie, “Razvedchik”.

“Nisma strategjike në të gjitha fushat na përket neve, ne jemi afër arritjes së qëllimeve tona, përderisa forcat e armatosura të Ukrainës janë buzë shembjes” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas tij, për Rusinë, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kanë humbur legjitimiteti dhe “aftësia për të negociuar”.

Naryshkini, që e drejton organizatën kryesore pasuese të Drejtorisë së Parë Kryesore të KGB-së të periudhës sovjetike, është njëri nga pak zyrtarët rusë që ka mbajtur kontakte relativisht të rregullta me zyrtarë të lartë amerikanë e perëndimorë.

Pikëpamjet e tij ofrojnë shenja të qëndrimeve në nivelet më të larta të Kremlinit, i cili përkrahjen perëndimore për Ukrainën e sheh si dëshmi që Shtetet e Bashkuara janë duke zhvilluar një luftë prokurë kundër Rusisë me qëllim të rrëzimit të pushtetarëve të lartë rusë.

Të dielën, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe që përmes bisedimeve mes Ukrainës e Rusisë t’i jepet fund “çmendurisë” së luftës.

Agjencia “Reuters” raportoi muajin e kaluar se Putini është i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me Trumpin, por përjashton çfarëdo koncesioni të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO.

Putini ka thënë se Rusisë duhet t’i lihet kontrolli i plotë i katër rajoneve ukrainase që kontrollohen pjesërisht nga trupat ruse për momentin në mënyrë që të arrihet një pakt i paqes./Nacionale

Lajme të ngjashme