Rusët po avancojnë në Kursk, por po luftojnë edhe në një pjesë tjetër të Rusisë, thonë blogerët
Rusia tha të premten se kishte rimarrë nën kontroll një fshat në rajonin e Kurskut, ku po mundohet që përfundimisht t’i dëbojë trupat ukrainase pas gati tetë muajve luftime.
Megjithatë, disa blogerë pro-rusë të luftës shprehën shqetësim për situatën në Belgorod, rajon i Rusisë ku trupat ukrainase filluan një operacion sulmues këtë muaj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në Kursk, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj e kishin rimarrë nën kontroll fshatin Gogolevka, njëri nga vetëm disa vendbanimet që po mbahen ende nga Ukraina, nga rreth 100 sa i kishte kapur në fund të gushtit.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se trupat e tij kishin ndalur 18 sulme ruse në rajonin e Kurskut gjatë ditës së kaluar, por nuk komentoi për situatën në Belgorod.
Sipas hartave me burime të hapura të blogut ushtarak ukrainas “Deep State”, forcat ruse shfaqeshin në kontroll të një pjese të fshatit Gogolevka, por jo në tërësinë e tij, dhe tregohej se trupat ukrainase ende kishin nën kontroll pak më pak se 80 kilometra katrorë të Kurskut.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte raportimet rreth fushës së betejës.
Në Belgorod, Rusia së pari tha më 18 mars se disa njësite ukrainase ishin munduar që të depërtonin matanë kufirit. Deri të premten, disa blogerë rusë të luftës thanë se grupet ukrainase ishin duke mbajtur një terren brenda rajonit.
Njëri nga ta, Arkhangel Spetsnaza, tha se trupat ukrainase ishin ende të pranishme në vendbanimin Popovka, dhe se luftimet vazhduan, duke shtuar se “situata mbetet e tensionuar”.
Një bloker tjetër, Rybar-i, tha se ka pasur përleshje të ashpra në Popovka dhe se palët po e godisnin njëra-tjetrën me dronë.
Një bloger tjetër, i njohur me nofkën “Dy Majorët”, tha se forcat ruse po i vazhdonin operacionet e mbrojtjes në rajon./Nacionale