Rusët kapin dy britanikë në Ukrainë
Dy luftëtarë britanikë të kapur në Ukrainë nga forcat ruse janë shfaqur në televizionin shtetëror rus dhe kanë kërkuar që të shkëmbehen me një politikan pro-rus, i cili mbahet nga autoritetet ukrainase.
Të dy i kërkuan kryeministrit britanik Boris Johnson që t'i ndihmonte t'i kthente në shtëpi në këmbim të lirimit të politikanit pro-rus nga Ukraina, Viktor Medvedchuk.
Shaun Pinner dhe Aiden Aslin, të cilët kishin shërbyer në marinën e Ukrainës dhe duke luftuar në Mariupol, u shfaqën në televizionin shtetëror rus duke i kërkuar kryeministrit britanik, Boris Johnson, të organizonte një shkëmbim të burgosurish mer Viktor Medvedchuk - një biznesmen ukrainas pro Kremlinit, i cili aktualisht mbahet nga Kievi.
Pinner - duke folur në anglisht - thotë: 'Me sa di unë, Viktor Medvedchuk po mbahet në paraburgim dhe Aiden Aslin dhe unë do të donim të shkëmbeheshim me të. Ne do të jemi mirënjohës për ndihmën tuaj në këtë çështje.' Në një klip të veçantë, Aslin shton: “Nëse Boris Johnson kujdeset vërtet për qytetarët britanikë siç thotë ai, atëherë ai do të ndihmojë në presionin mbi Zelensky-n për të bërë gjënë e duhur dhe për të kthyer Viktorin në familjen e tij dhe ne në familjet tona.'
Në të njëjtën kohë, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës publikoi gjithashtu një video të Medvedchuk në të cilën ai lutet që të shkëmbehet me trupat dhe civilët e mbetur të bllokuar në Mariupol, tani kur raportohet se Rusia është në prag të pushtimit të qytetit.