Rundi i parë i bisedimeve të reja Izrael – Hamas përfundoi pa ndonjë rezultat, thonë burimet palestineze - NACIONALE

Rundi i parë i bisedimeve të reja Izrael – Hamas përfundoi pa ndonjë rezultat, thonë burimet palestineze

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sesioni i parë i bisedimeve të tërthorta mes Hamasit dhe Izraelit për armëpushim në Gaza, i zhvilluar në Katar, përfundoi pa ndonjë rezultat, thanë të hënën herët dy burime palestineze të afërta me çështjen, duke shtuar se delegacioni izraelit nuk kishte mandat të mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje me Hamasin.

Bisedimet rinisën të dielën, para vizitës së tretë në ShBA të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që nga koha kur republikani Donald Trump u rikthye në krye të Shtëpisë së Bardhë para gjashtë muajve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Pas sesionit të partë të bisedimeve të tërthorta në Doha, delegacioni izraelit nuk është mjaftueshëm i autorizuar... për të arritur një marrëveshje me Hamasin, pasi nuk ka pushtet të vërtetë” – i thanë burimet agjencisë “Reuters”.

Para se të nisej për në Uashington, Netanyahu tha se negociatorët izraelitë që po marrin pjesë në bisedimet për armëpushim kanë udhëzime të qarta për të arritur një marrëveshje armëpushimi sipas kushteve që Izraeli i ka pranuar.

Të shtunën në mbrëmje, një turmë njerëzish u mblodhën në një shesh publik në Tel-Aviv, afër objektit kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes, për të bërë thirrje për marrëveshje armëpushimi dhe për kthimin e rreth 50 pengjeve që ende po mbahen në Gaza Protestuesit valëvitën flamuj izraelitë, brohoritën dhe mbajtën pankarta me fotografi të pengjeve.

Rreth 20 prej pengjeve të mbetura besohet se janë ende gjallë. Shumica e pengjeve fillestare janë liruar përmes bisedimeve diplomatike, edhe pse edhe ushtria izraelite i ka nxjerrë disa nga enklava palestineze.

Lufta mes Izraelit e Hamasit u nxit nga sulmi i këtij grupi në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor 2023, kur u vranë rreth 1.200 njerëz e u morën peng 251 të tjerë, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se sulmet hakmarrëse ushtarake të Izraelit në enklavë kanë lënë të vrarë më shumë se 57.000 palestinezë. Ato gjithashtu kanë shkaktuar krizë urie, e kanë detyruar popullsinë që të zhvendoset dhe e kanë lënë territorin në rrënoja./Nacionale

Lajme të ngjashme