Rumania thotë se ka gjetur copëza droni afër kufirit me Ukrainën
Rumania, anëtare e NATO-s, tha se ka gjetur copëza që duken si të dronit në një fermë afër Lumit Danub dhe kufirit me Ukrainën të enjten vonë.
Rusia ka sulmuar caqe në pjesët perëndimore dhe qendrore të Ukrainës me raketa e dronë netëve, raporton agjencia “Reuters”.
“Në mbrëmjen e 28 marsit 2024, copëza që dukej se kishin ardhur nga një pajisje ajrore (dron) u identifikuan në një tokë bujqësore në Insula Mare a Brailei” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rumanisë.
“Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, bashkë me struktura të specializuara brenda Sistemit të Mbrojtjes Kombëtare, rendit publik dhe sigurisë kombëtare, është duke kryer një hetim të incidentit” – thuhet më tej në deklaratë.
NATO-ja ka një zotim të përbashkët të mbrojtjes, nëse ndonjëri anëtar i saj sulmohet, por zyrtarë të aleancës dhe të Rumanisë kanë thënë pas incidenteve të ngjashme në të kaluarën se ata nuk kanë gjetur dëshmi për ndonjë sulm të qëllimshëm që e ka pasur në shënjestër Rumaninë.
Të dielën, një raketë ruse hyri në hapësirën ajrore të Polonisë, gjithashtu anëtare e NATO-s.
Varshava tha të premten herët se kishte ngritur në qiell aeroplanë për shkak të sulmeve raketore ruse ndaj Ukrainës.