Rumania gjen në territor të vet gropë droni pas sulmeve ruse ndaj Ukrainës
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë raportoi të enjten për zbulimin e një grope të shkaktuar nga droni afër kufirit të këtij shteti me Ukrainën pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës së një porti ukrainas natën e kaluar.
Ukraina i ka vënë në shënjestër portet dhe depot ukrainase përgjatë Lumit Danub, mes Ukrainës e Rumanisë, anëtare e NATO-s, që nga tërheqja prej marrëveshjes për eksportimin e drithit nëpër Detin e Zi, raporton agjencia “Reuters”.
Prej asaj kohe, Rumania ka raportuar për incidente të izoluara me pjesë të dronëve që kanë rënë në territorin e saj, edhe pse ka thënë se territori rumun nuk ka qenë qëllimisht në shënjestër.
Ministria e Mbrojtjes tha të enjten se mund të ketë qenë një shpërthim nën ndikim në gropën e shkaktuar nga droni, se janë ndërmarrë masa për ta siguruar zonën dhe se forcat rumune do të vazhdojnë që ta vëzhgojnë hapësirën ajrore.
“Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i dënon fuqishëm sulmet e kryera nga Federata Ruse kundër disa objektivave dhe elementeve të infrastrukturës civile në portet ukrainase në Danub. Këto sulme janë të pajustifikuara dhe në kundërthënie serioze me rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare”- thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.
Pas një takimi të planifikuar paraprakisht të Këshillit të Mbrojtjes të enjten, ku u diskutua për sulmet me dronë, zyra e presidentit rumun tha se Ministria e Mbrojtjes planifikon masa për t’i shtuar vëzhgimin ajror, gjetjen dhe ndërhyrjen. Nuk u dhanë hollësi specifike.
“Shpeshtimi i sulmeve ruse me dronë ndaj porteve detare e lumore të Ukrainës në Detin e Zi e kanë sjellë luftën edhe më afër kufijve të Rumanisë. Incidentet me copëza dronësh që bien në territorin e vendit tonë dhe tërthorazi në atë të NATO-s e kanë rritur rrezikun për eskalim”- tha zyra e presidentit rumun.
