Rubio planifikon që të mos marrë pjesë në takimin e NATO-s në momentin kyç për Ukrainën
Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, planifikon që të mos marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel javën e ardhshme, sipas dy zyrtarëve amerikanë, në një mungesë shumë të pazakonshme të kryediplomatit amerikan në një tubim kyç transatlantik.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, do ta përfaqësojë Uashingtonin në këtë takim, tha njëri nga zyrtarët amerikanë, të cilët kërkuan që të mbeteshin anonim për të folur rreth çështjeve që nuk janë bërë akoma publike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ishte e paqartë se pse saktësisht Rubio dëshiron që të mos marrë pjesë në takimin e 3 dhjetorit dhe planet e tij mund të ndryshojnë në momentin e fundit. Megjithatë, mungesa e tij e mundshme vjen në kohën kur zyrtarët amerikanë e ukrainas janë përpjekur që t’i ngushtojnë dallimet rreth planit kundërthënës të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Disa diplomatë evropianë janë ankuar se janë lënë jashtë procesit.
Zakonisht mbahen dy takime formale të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s brenda vitit dhe është gjë shumë e rrallë që sekretari i Shtetit i ShBA-së të mungojë në to. Në vitin 2017, gjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, sekretari i atëhershëm i Shtetit, Rex Tillerson, fillimisht kishte planifikuar që të mos merrte pjesë në një takim në prill, por tubimit më pas i ishte ndryshuar koha për t’iu përshtatur agjendës së zyrtarit amerikan.
Një zyrtar i NATO-s i referoi pyetjet te Shtetet e Bashkuara në lidhje me pjesëmarrjen e Rubios, por tha se nuk është e pazakontë që disa kryediplomatë të mos marrin pjesë në ngjarje.
“NATO-ja organizon shumë takime të ministrave për çdo vit dhe përderisa shumica e aleatëve përfaqësohen nga ministrat në shumicën e rasteve, nuk është e pazakonshme që rrethanat të mbajnë një ministër larg pjesëmarrjes në një takim të NATO-s plotësisht ose pjesërisht” – tha ai.
Departamenti i Shtetit i ShBA-së nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./Nacionale