RSF-ja paramilitare e Sudanit pajtohet me propozimin e ShBA-së e vendeve arabe për armëpushim - NACIONALE

RSF-ja paramilitare e Sudanit pajtohet me propozimin e ShBA-së e vendeve arabe për armëpushim

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grup paramilitar që po lufton kundër ushtrisë sudaneze, pajtohet me një propozim të Shteteve të Bashkuara dhe fuqive arabe për armëpushim humanitar dhe janë të hapura për bisedime për ndërprerjen e armiqësive, tha grupi në një deklaratë të publikuar të enjten.

Edhe RSF-ja, edhe ushtria sudaneze janë pajtuar për propozime të ndryshme për armëpushim gjatë luftës që nisi në pranverën e vitit 2023, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pasur sukses. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë se është duke punuar për përfundimin e luftimeve në Sudan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Njoftimi, ndaj të cilit nuk reagoi menjëherë ushtria sudaneze, vjen më pak se dy javë pasi RSF-ja e mori nën kontroll qytetin al-Fashir, duke e forcuar kontrollin në rajonin e madh perëndimor të Darfurit.

“Forcat e Mbështetjes së Shpejtë gjithashtu e presin zbatimin e marrëveshjes dhe fillimin e menjëhershëm të diskutimeve për rregullimin e ndërprerjes së armiqësive dhe parimeve themelore që e drejtojnë procesin politik në Sudan” – thuhet në një deklaratë të RSF-së.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha të enjten se Shtetet e Bashkuara po vazhdonin që të angazhoheshin drejtpërdrejt me palët për ta lehtësuar arritjen e një armëpushimi humanitar.

Lajme të ngjashme