“Rruga drejt Avdiivka-s, e mbushur me kufoma ukrainase” – Rrëfimi për ushtarët që u lanë pas
Avdiivka ishte në vijën e frontit të luftës mes Kievit e Moskës për gati një dekadë. Luftime të ashpra u zhvilluan atje për disa muaj pas fillimit të pushtimit të plotë rus para gati dy vjetëve.
Tërheqja zgjati shumë më pak. Kur ushtria ukrainase e braktisi qytezën të shtunën, duke ia dhënë Rusisë fitoren më të rëndësishme në disa muaj, largimi ishte i shpejtë dhe i pamëshirshëm, raporton televizioni CNN.
“Lëre 300-ëshin (të plagosurin) dhe digj gjithçka” – raportohet të ketë thënë një ushtar.
Disa orë pas ngritjes së flamujve nga ushtarët rusë në Avdiivka, ka dalë në shesh një rrëfim i tmerrshëm i disa ushtarëve të plagosur ukrainas që kishin dështuar të iknin – dhe që më vonë u vranë, kur trupat ruse arritën te pozicionet e tyre.
Ushtarët ukrainas atje ishin pjesë e Brigadës së 100-të të Ndarë të Motorizuar, duke zënë një pozicion të njohur si Zenit. Përderisa forcat ruse avancuan në Avdiivka javën e kaluar, Zeniti u sulmua rëndë.
Ushtarët e vendosur aty bënë përpjekje dëshpëruese për t’u larguar nga gërmadhat e qytezës, sipas Viktor Biliak-ut, që ishte njëri ndër ushtarët atje. Në një shkrim të gjatë e shpesh të zymtë në “Instagram”, ai e përshkroi rrugën e rrezikshme që shtrihej para tyre.
“Kishte zero dukshmëri jashtë. Ishte vetëm për mbijetesë. Një kilometër nëpër fushë. Një tufë kotelesh të verbra, të drejtuara nga një dron. Artileri e armikut. Rruga drejt Avdiivk-as është e mbushur me kufoma ukrainase” – shkroi ai.
Përfundimisht, një komandant e njoftoi përmes radio-lidhjes se të plagosurit nuk do të evakuoheshin. Gjashtë burra u lanë prapa. Biliaku thotë se ishte vështirë që të lexoheshin porositë që i kishin lënë ata.
“Dëshpërimi i tyre, dënimi i tyre. Kjo do të qëndrojë gjithmonë me ne. Më të guximshmit janë ata që vdesin” – tha ai.
Ushtarët e lënë prapa
Avdiivka ka qenë në vijat e frontit që nga marrja nën kontroll e pjesëve të mëdha të rajonit Donbas nga separatistët pro-rusë, përfshirë qytetin Donetsk, më 2014. Vitet e luftimeve e kanë shndërruar qytezën në bastion të fortifikuar fuqishëm, pasi gjatë tetë viteve të kaluara atje janë ndërtuar llogore.
Megjithatë, kur ushtria ukrainase ishte nën presion në disa pika në vijën e frontit dhe duke u ballafaquar me mungesë të municionit e fuqisë njerëzore, ushtria ruse mund të kishte nuhatur një mundësi. Forcat ruse e goditën zonën me sulme ajrore e artileri para se ta ashpërsonin sulmin tokësor.
Forcat ukrainase në fundjavë e morën vendimin për ta braktisur qytezën, duke ia dhënë Rusisë fitoren më domethënëse që nga rënia e qytetit Bakhmut vitin e kaluar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendimi për tërheqje ishte marrë për “ta shpëtuar jetën e ushtarëve tanë”.
Në mesin e atyre që mbetën të ngujuar e të rrethuar ishte një rreshter 30-vjeçar, mjek lufte nga rajoni i Dnipropetrosvkit, i quajtur Ivan Zhytnyk, i njohur me nofkën “Django”. Ai kishte qenë duke luftuar në Avdiivka për gati dy vjet, njësoj si Brigada e 110-të.
Ivani ishte plagosur rëndë dhe nuk mund të lëvizte. Të enjten, ai arriti që të kontaktonte me motrën Kateryna dhe anëtarë të tjerë të familjes në një video-thirrje emocionale, për të cilën tashmë është raportuar gjerësisht në mediat ukrainase.
Kateryna e pyet vëllanë e saj: “Pra, çfarë, ata... askush nuk po vjen? Djemtë tuaj janë atje, gjithashtu, apo ju jeni vetëm?”
Ivani ia kthen: “Të gjithë u larguan, të gjithë u tërhoqën. Na thanë se një veturë do të na merrte. Kam dy këmbë të thyera, copëz predhe në shpinë. Nuk mund të bëj asgjë...”
Ai shtoi se në pozicionin e Zenitit ishin gjashtë ushtarë, katër prej të cilëve, ai mes tyre, nuk mund të ecnin.
Motra i përgjigjet duke qarë: “Nuk di si të... kë të thërras. Nuk mund ta zgjidh këtë. Kush do t’ju marrë?”
Askush nuk i mori.
Gazetarët ukrainas të uebfaqes “Slidstvo.info” më vonë biseduan me të afërm të tre prej ukrainasve që ishin lënë të plagosur në atë pozicion.
Kateryna gazetarëve iu tha: “Ata kishin qenë duke pritur për automjetin (e evakuimit) për një ditë e gjysmë. Kur morën vesh se askush nuk po vinte për t’i marrë, filluan që të thërrisnin secilin. Kur Ivani më telefonoi, ai kishte aq shumë dhimbje, i kishin dhënë gjithçka që u kishte mbetur, por po mbeteshin pa ilaçe e ushqim.”
Më vonë të enjten, një i afërm tjetër kontaktoi me Ivanin përmes video-lidhjes, sipas Kateryna-s.
“Vëllai im tha se komanda ishte pajtuar që rusët do t’i eliminonin ata, sepse burrat tanë nuk do të shkonin te ta” – tha motra e ushtarit. Përderisa bisedonin, sipas saj, në video u panë trupat ruse duke hyrë në pozicionin ku ndodheshin ushtarët e ngujuar ukrainas.
Televizioni CNN nuk e ka parë atë video.
Të premten, në një video të publikuar nga një bloger ushtarak rus, shihen trupat e disa ushtarëve. Në video shihet emblema e Brigadës së 1-rë Sllave të Ushtrisë së Rusisë, e cila kishte hyrë në zonën e Zenitit, në jug të qytezës Avdiivka, dy ditë më parë, sipas shumë rrëfimeve.
Kateryna e njohu trupin e vëllait përmes rrobave dhe përmes shishes së ujit që po e mbante, kur rusët i morën ata nga pozicioni i Zenitit.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, brigada ukrainase tha se ishte përpjekur që të bisedonte me forcat ruse për t’i evakuuar ushtarët e plagosur nga pozicioni i Zenitit pas rrethimit të plotë të tij.
“Ata (u pajtuan) për t’i evakuuar të plagosurit dhe për t’u ofruar asistencë dhe pastaj për t’i këmbyer (si të burgosur lufte). Ushtarët tanë u urdhëruan që ta shpëtonin jetën e tyre” – thuhet në deklaratë.
Brigada ukrainase më vonë mori vesh se ushtarët e saj ishin vrarë përmes videos së publikuar nga forcat ruse. “Lufta është mizore dhe ne po luftojmë për liri me një çmim të lartë” – tha kjo brigadë.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli