Rritje rekorde e shpenzimeve globale për armë bërthamore
Shpenzimet globale për armë bërthamore vlerësohet se janë rritur për 13 për qind dhe kanë shkuar në shifër rekorde prej 91,4 miliardë dollarësh më 2023, sipas përllogaritjeve të Fushatës Ndërkombëtare për Heqjen e Armëve Bërthamore.
Shuma e përgjithshme e re, që është për 10,7 miliardë dollarë më e lartë se në vitin paraprak, është nxitur kryesisht nga rritja e ndjeshme e buxhetit të mbrojtjes në ShBA, në kohën e paqartësisë më të gjerë gjeopolitike të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës dhe lufta mes Izraelit e Hamasit, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas grupit që i bëri përllogaritjet, të gjitha nëntë shtetet e botës që kanë armë bërthamore janë duke shpenzuar më shumë, ndërsa Kina vlerësohet si shpenzuesja e dytë më e madhe me buxhet prej 11,9 miliardë dollarësh – edhe pse shifra e përgjithshme e Pekinit është dukshëm më e vogël se 51,5 miliardë dollarët që raportohet se i ka shpenzuar ShBA-ja.
Rusia është shpenzuesja e tretë në listë, me 8,3 miliardë dollarë, e pasuar nga Britania e Madhe me 8,1 miliardë dollarë dhe Franca me 6,1 miliardë dollarë.

Vlerësimet për shtetet autoritare ose për tri vendet që kanë programe bërthamore të padeklaruara – India, Pakistani dhe Izraeli – janë të ndërlikuara për shkak të mungesës së transparencës.
Susy Snyder, njëra nga autoret e hulumtimit, paralajmëroi se këto shtete janë “në rrugë për të shpenzuar 100 miliardë dollarë në vit për armë bërthamore” dhe argumentoi se këto të holla do të mund të përdoreshin në programe mjedisore dhe sociale.
“Këta miliarda do të mund të përdoreshin për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për të shpëtuar kafshë e bimë që e mbrojnë jetën në Tokë nga zhdukja, për të mos e përmendur përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e arsimore përreth botës” – tha ajo.
Gjatë pesë viteve të kaluara, nga koha kur ky grup e kishte nisur hulumtimin, shpenzimet për armë bërthamore janë rritur për 34 për qind dose për 23,2 miliardë dollarë. Shpenzimet nga Shtetet e Bashkuara janë rritur për 45 për qind gjatë kësaj periudhe, ndërsa në Britani për 43 për qind.

Sipas të dhënave të tjera, të hartuara nga Institutit Ndërkombëtar i Stokholmit për Studime të Paqes, edhe numri i kokave bërthamore aktive është pak më i lartë, 9 mijë e 585, i nxitur kryesisht nga rritja e arsenalit të Kinës – nga 410 në 500 koka bërthamore.
Në janar të këtij viti, sipas vlerësimit, Rusia kishte 4 mijë e 380 koka bërthamore të dislokuara ose në depo, në krahasim me 3 mijë e 708 të ShBA-së.