Rritet misteri me objektet që Amerika po i rrëzon, gjenerali s'e përjashton se mund të jenë jashtë-tokësorë
Ushtria e ShBA-ve është e pasigurt se çka ishin tri objektet fluturuese që i rrëzoi nga qielli në Amerikën e Veriut – dhe se si këto objekte ia dolën që të rrinin lart.
Presidenti Joe Biden urdhëroi që të rrëzohej edhe një objekt tjetër gjatë ditës së djeshme – i katërti në total këtë muaj.
Objekti po udhëtonte 6100 metra lart në qiell, dhe mund të interferonte me trafikun ajror komercial, tha ShBA-ja.
Një komandant ushtarak u shpreh se mund të ishte një “balon i tipit të gaztë” apo “ndonjë tip i caktuar me sistem shtytës”.
Ai shtoi e nuk mund të përjashtohej që objektet të ishin jashtë-tokësore, raporton BBC.
Objekti më i fundit – i qëlluar pranë liqenit Huron në Michigan, afër kufirit me Kanadanë – është përshkruar nga zyrtarët e mbrojtjes si një “strukturë tetëkëndëshe” me tela në të.
Incidenti më i fundit ngrit pyetje të tjera në lidhje me objektet në fjalë.
Gjenerali amerikan Glen VanHerck u shpreh që nuk kishte ndonjë indikacion për ndonjë kërcënim të mundshëm.
“Nuk do t’i kategorizojë si balonë. Po i quajmë objekte për një arsye,” – tha ai. “Ajo se çka po shohim janë objekte shumë të vogla që prodhojnë tepër tepër pak valë që kapen nga radari,”
Spekulimet se çka mund të jenë këto objekte janë intensifikuar ditëve të fundit.
Gjenerali u pyet nëse objektet ishin alienë apo jashtë-tokësorë, derisa tha se nuk përjashton asgjë në këtë pikë.
Një balonë e dyshuar spiunazhi nga Kina u qëllua e u rrëzua më 4 shkurt pasi i kaloi katër ditë mbi hapësirën ajrore të ShBA-ve. Zyrtarët thanë se ajo balonë e madhe sa tre autobusë e kishte prejardhjen nga Kina dhe ishte shfrytëzuar për të monitoruar vende sensitive.
Kina e ka mohuar që objekti ishte përdorur për spiunazh dhe tha që ishte një pajisje për monitorimin e motit.
Të dielen, një zyrtar i mbrojtjes tha që ShBA-ja kishte komunikuar me Pekinin për objektin e parë, pasi nuk kishte marrë përgjigje për disa ditë më radhë. Nuk ishte e qartë se çfarë ishte diskutuar.
Por, këto objekte nuk përngjanin me balonin e rrëzuar më 4 shkurt.