Rrëzohet një helikopter ushtarak në Australi, zhduken katër persona
Katër persona janë zhdukur pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në det, jo shumë larg Queensland-it të Australisë.
Incidenti ndodhi gjatë një ushtrimi natën mes ushtrisë së Australisë dhe forcave amerikane afër Ishullit Lindeman të premten në mbrëmje, raporton televizioni BBC.
Ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles, tha se ishte nisur menjëherë një operacion kërkim-shpëtimi për t’i gjetur personat e zhdukur.
“Katër anëtarët e ekuipazhit ende nuk janë gjetur”- tha ai gjatë një konference për gazetarë të shtunën në mëngjes, duke shtuar se helikopteri i tipit "MRH-90 Taipan" u rrëzua afër ishullit rreth orës 10 e 30 minuta të mbrëmjes sipas kohës lokale.
“Shpresat dhe mendimet tona janë shumë me anëtarët e ekuipazhit dhe familjet e tyre”- tha ministri. “Shpresojmë fort për lajme më të mira gjatë rrjedhës së ditës. Këto janë ditë të hershme dhe do të ketë shumë më shumë informata për t’u ofruar për këtë incident”- shtoi ai.
Duke folur në të njëjtën konferencë për gazetarë, komandanti i ushtrisë australiane, Angus Campbell, tha se ky ishte një moment i tmerrshëm.
“Fokusi ynë për momentin është gjetja e njerëzve tanë dhe përkrahja e familjeve të tyre dhe pjesës tjetër të ekipit tonë”- tha ai.
Ky helikopter u rrëzua gjatë ushtrimeve që ishin pjesë e Ushtrimit “Talisman Sabre”, ushtrimi më i madh dypalësh ushtarak mes Australisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët e mbrojtjes njoftuan për një ndërprerje të ushtrimit, ku të përfshirë ka edhe ushtarë nga Japonia, Franca, Gjermania dhe Koreja Jugore.