Rrëzohet një helikopter në Norvegji, një i vdekur e pesë të lënduar
Një person vdiq e pesë të tjerë u lënduan, kur një helikopter u rrëzua në det, në perëndim të Norvegjisë, tha policia e këtij shteti të enjten, duke çuar në ndërprerje të përkohshme të transportit nga platformat detare të naftës dhe gazit.
Helikopteri i tipit “Sikorsky-92”, që operohej nga kompania “Bristow Norway”, ishte në një mision trajnimi për kërkim-shpëtim të mërkurë, kur ndodhi aksidenti, thanë zyrtarët, raporton agjencia “Reuters”.
Gjashtë personat që ndodheshin në helikopterin e rrëzuar u nxorën nga deti nga punëtorët e shpëtimit, por njëri prej tyre u shpall i vdekur në spital, tha policia të enjten përmes një deklarate.
Njëri nga pesë të mbijetuarit ka pësuar vetëm lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerët kanë lëndime në shkallë të ndryshme, shtoi policia.
Shkaktari i aksidentit nuk qe menjëherë i ditur. Prodhuesi i këtij helikopteri, kompania “Lockheed Martin”, tha të mërkurën se siguria është prioriteti më i lartë i saj dhe se qëndronte e gatshme për ta mbështetur hetimin.
Kompania e energjisë “Equinor” tha se helikopteri ishte për kërkim-shpëtim dhe u shërbente zakonisht platformave në fushat e naftës dhe gazit “Oseberg” të kësaj kompanie në Detin e Veriut.
“Të gjithë në helikopter ishin të ngarkuar me detyrë për kompaninë “Equinor”. Detyra jonë kyçe tani është që të ndihmojmë në përkujdesjen për ata që janë të përfshirë” – tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i kompanisë, Anders Opedal.
Pas këtij aksidenti, kompania “Equinor” i ndërpreu të gjitha fluturimet e rregullta të helikopterëve drejt platformave të saj të naftës dhe gazit në Norvegji për shkak të konsideratës ndaj personave të prekur dhe për të bërë një rishikim të situatës.
“Kompania synon që t’i kthejë helikopterët në operim normal shpejt dhe tani është duke i bërë përgatitjet e nevojshme për ta arritur këtë siguri” – thuhet në deklaratë.