Rrëzohet në Kaukaz bombarduesi rus Su-34, humb jetën ekuipazhi
Një aeroplan luftarak rus i tipit Su-34 është rrëzuar në Malet Kaukaz gjatë një fluturimi trajnues rutinor, me gjasë për shkak të një problemi teknik, duke e lënë të vdekur ekuipazhin, raportuan të martën agjencitë ruse të lajmeve, duke e cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
“Në Republikën e Osetisë-Alanisë Veriore, në një zonë malore, një aeroplan Su-34 i Forcave Ajrore Ruse u rrëzua gjatë një fluturimi të planifikuar trajnues” – citohet të ketë thënë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, sipas raportimit të agjencisë RIA.
“Aeroplani u përplas në një zonë boshe. Nuk ka shkatërrim në tokë. Ekuipazhi e humbi jetën” – thuhet më tej, përcjell agjencia “Reuters”.
Nuk qe menjëherë e ditur se sa persona ndodheshin në aeroplan.
“Sukhoi Su-34” është aeroplan bombardues supersonik me prejardhje sovjetike.