Rrëzohet në det një helikopter ushtarak japonez me dhjetë persona në të - NACIONALE

Rrëzohet në det një helikopter ushtarak japonez me dhjetë persona në të

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipet e shpëtimit janë duke zhvilluar një operacion kërkimi në det në jugun e Japonisë për dhjetë persona të zhdukur, të cilët ndodheshin në një helikopter ushtarak që u rrëzua në ujë të enjten, tha ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Yasukazu Hamada.

“Do të vazhdoj që ta bëj më të mirën time për të mbledhur informata për dëmin dhe të kërkoj për jetë njerëzish”- tha Hamada, i cili u duk i emocionuar, kur foli para gazetarëve të premten.

Gjeneral Yasunori Morishita, komandant i përgjithshëm i Forcës Vetëmbrojtëse Tokësore të Japonisë, tha se kërkuesit kanë gjetur disa pjesë që duket se janë të helikopterit të tipit UH-60JA në det dhe po vazhdojnë që të kërkojnë për të mbijetuar në zonën e aksidentit.

Nëse asnjëri prej të zhdukurve nuk mbijeton, ky do të ishte aksidenti më vdekjeprurës i forcave ajrore japoneze që nga viti 1995, tha Ministria e Mbrojtjes, raporton televizioni CNN.

Në mesin e të zhdukurve janë dy pilotë, dy mekanikë dhe gjashtë pasagjerë, përfshirë gjeneral-lejtnant Yuchi Sakamoto, tha Morishita.

Sakamoto, komandant i Divizionit të 8-të, u emërua në detyrën e re më 30 mars, raportoi të premten transmetuesi publik japonez, NHK.

Helikopteri u zhduk të enjten në orën 15 e 56 minuta sipas kohës lokale, pasi nuk u duk më në ekranet e radarëve afër bregdetit të Ishullit Miyako të prefekturës jugore, Okinawa, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Një zëdhënës i rojës bregdetare japoneze tha se të premten në mëngjes, një dritare, një derë me mbishkrimin “Forca Vetëmbrojtëse Tokësore” si dhe një pjesë e helikës janë gjetur në ujë në veri të Ishullit Irabu.

Lajme të ngjashme