Rrëzimi i “Air India”, detajet nga kutia e zezë: U ndërpre furnizimi me karburant në motor
Rrëzimi i avionit të “Air India” që shkaktoi vdekjen e 260 personave erdhi për shkak të ndërprerjes së furnizimit me karburant në motorët e avionit, sipas një raporti preliminar.
Avioni Boeing 787 Dreamliner, që po udhëtonte drejt Londrës, sapo ishte ngritur nga pista në aeroportin e Ahmedabad, kur ra përsëri në tokë. Vetëm një pasagjer mbijetoi.
"CNN" raporton se sipas raportit të Byrosë së Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë, ndërprerësit e kontrollit të karburantit në kabinën e pilotit ishin aktivizuar në mënyrë që të ndërprisnin karburantin për motorët. Nuk dihet nëse këto janë aktivizuar nga dikush apo si erdhi deri aty.
Të dhënat nga regjistruesit e avionit (“kutitë e zeza”) tregojnë se ndërprerësit e karburantit u kaluan nga pozicioni RUN në CUTOFF, me një diferencë kohore prej vetëm një sekonde. Në regjistrimin e zërit nga kabina, njëri pilot pyet tjetrin pse i fik ndërprerësit, dhe tjetri përgjigjet se nuk e kishte bërë këtë.
Ndërprerësit më pas u rikthyen në pozicionin e duhur, dhe motorët filluan procesin e ndezjes sërish, por avioni u rrëzua përpara se të rikuperonte fuqinë.
Në avionët Boeing 787, këta ndërprerës ndodhen mes dy ulëseve të pilotëve, poshtë levave të gazit, të mbrojtura nga një shufër metalike dhe një sistem sigurie që parandalon lëvizjen e padëshiruar.
Pamjet nga aeroporti tregojnë se gjatë ngjitjes u aktivizua Turbina Ram Air, që siguron energji emergjente, gjë që tregon për një problem serioz në bord. Avioni filloi të humbte lartësi përpara se të dilte jashtë perimetrit të aeroportit.
Pak sekonda pasi motorët tentuan të rindizeshin, njëri pilot bërtiti "MAYDAY MAYDAY MAYDAY". Kontrollori i trafikut ajror kërkoi identifikimin e avionit, por nuk mori përgjigje dhe e pa avionin duke u përplasur.
Ekspertët thonë se është shumë e rrallë që të dy ndërprerësit të fiken aksidentalisht, pasi ata janë të dizajnuar për të mos lëvizur vetë ose rastësisht.