Rreth 40 të vrarë nga sulmi ajror i ushtrisë së Mianmarit, thotë grupi opozitar
Një sulm ajror i kryer nga ushtria e Mianmarit në një fshat që është nën kontrollin e një grupi të armatosur të pakicës etnike la të vrarë rreth 40 njerëz dhe të paktën 20 të tjerë u plagosën, thanë të enjten zyrtarë të grupit dhe një organizatë bamirëse lokale.
Sulmi ndodhi të mërkurën në fshatin Kyauk Ni Maw në ishullin Ramree, zonë e kontrolluar nga Ushtria e Arakanit në shtetin perëndimor Rakhine. Qindra shtëpi u dogjën nga një zjarr që u shkaktua nga bombardimet, thanë ata. Ushtria nuk ka njoftuar për ndonjë sulm në zonë, raporton gazeta “The Guardian”.
Situata në fshat nuk mund të vërtetohej në mënyrë të pavarur, pasi qasja në shërbimet e internetit dhe telefonave mobilë në zonë është kryesisht e shkëputur.
Mianmari, i njohur edhe si Burma ose Birmania, është përfshirë nga dhuna që nga shkurti i vitit 2021, kur ushtria e rrëzoi nga pushteti qeverinë e zgjedhur të zonjës Aung San Suu Kyi. Pasi ushtria përdori forcë për t’i shtypur protestat paqësore, shumë kundërshtarë të regjimit ushtarak rrokën armët në duar dhe pjesë të mëdha të vendit tani janë të zhytura në konflikt.
Khaing Thukha, zëdhënës i Ushtrisë së Arakanit, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” që një aeroplan luftarak e bombardoi fshatin të mërkurën pasdite, duke vrarë 40 civilë e duke plagosur më shumë se 20 të tjerë.
“Të gjithë të vdekurit ishin civilë. Në mesin e të vdekurve dhe të lënduarve ka gra e fëmijë” – tha ai, duke shtuar se një zjarr i shkaktuar nga sulmi ajror u përhap në fshat, duke shkatërruar më shumë se 500 shtëpi.
Ishte e paqartë pse ky fshat u vu në shënjestër. Udhëheqësi i një grupi bamirës lokal dhe mediat e pavarura gjithashtu raportuan për sulmin ajror dhe për viktima./Nacionale