Rreth 30 burra kanë vdekur në përpjekje për të ikur nga Ukraina që ta shmangnin rekrutimin - NACIONALE

Rreth 30 burra kanë vdekur në përpjekje për të ikur nga Ukraina që ta shmangnin rekrutimin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Afro 30 burra ukrainas kanë vdekur gjatë përpjekjeve të tyre për ta kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin e shtetit dhe për ta shmangur pjesëmarrjen në luftën kundër Rusisë, sipas zëdhënësit të shërbimit kufitar ukrainas.

“Disa e humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar një lumë malor ose male” – tha Andriy Demchenko, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve, “Ukriform”, përcjell agjencia “Reuters”.

“Në përgjithësi, që nga fillimi i pushtimit të plotë, rreth 30 persona kanë vdekur gjatë përpjekjes për ta kaluar kufirin ilegalisht” – shtoi ai.

Me disa përjashtime, burrave ukrainas të moshave 18 deri në 60-vjeçare nuk u lejohet largimi nga vendi, sepse mund të mobilizohen për të luftuar, sipas ligjit të luftës në Ukrainë.

Të hënën, Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare tha në një deklaratë se 24 burra kanë vdekur gjatë përpjekjes për ta kaluar Lumin Tisa, në kufirin e Ukrainës me Rumaninë.

Demchenko tha se që nga fillimi i luftës, rojat kufitare kanë zbuluar rreth 450 grupe kriminale që janë përpjekur të trafikojnë njerëz matanë kufirit.

“Përpjekjet për ta kaluar kufirin ilegalisht ndodhin përditë. Shumica e këtyre përpjekjeve janë jashtë pikave kufitare të kontrollit në kufi me Moldavinë dhe Rumaninë. Numri më i madh me dokumente të falsifikuara është regjistruar në kufirin me Poloninë” – tha më tej zyrtari ukrainas.

Më herët në prill, Demchenko i tha televizionit shtetëror ukrainas se mesatarisht, rreth dhjetë burra ndalen çdo ditë gjatë përpjekjes për t’u larguar ilegalisht nga Ukraina.

Javën e kaluar, Ukraina i pezulloi shërbimet konsullore burrat në moshë për shërbim ushtarak deri më 18 maj, duke i kritikuar ukrainasit jashtë vendit për të cilët tha se prisnin që të merrnin ndihma nga shteti pa dhënë ndihmë në betejën e vendit për mbijetesë në luftën kundër Rusisë.

Në nëntor, televizioni BBC vlerësoi përmes një raportimi të mbështetur në të dhënat për kalim ilegal të kufirit nga Rumania, Moldavia, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia se gati 20 mijë burra kishin ikur nga Ukraina që nga fillimi i luftës për ta shmangur rekrutimin.

Lajme të ngjashme