Rreth 200 milionë amerikanë preken nga stuhia dimërore, -45 gradë në Montana
Përafërsisht 200 milionë banorë të Shteteve të Bashkuara janë duke përjetuar një stuhi të ashpër dimërore, e cila është lidhur me të paktën 12 viktima në prag të fundjavës së festës.
Më shumë se 1,5 milion njerëz mbetën pa furnizim me rrymë e mijëra fluturime u anuluan të premten. Stuhia ka përfshirë një territor të gjerë me gjatësi prej 3.200 kilometrash, nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara në Kuebek të Kanadasë, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
I ashtuquajturi ciklon bombë, i cili ndodh me rastin e rënies së shpejtë të shtypjes atmosferike, ka shkaktuar acar në Liqenet e Mëdha, në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Në Kanada, gjendja më e rëndë është në Ontario dhe Kuebek. Qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa rrymë. Një pjesë e konsiderueshme e territorit tjetër të vendit, nga Kolumbia Britanike deri në Newfoundland, është duke u ballafaquar me acar të jashtëzakonshëm e paralajmërime për stuhi dimërore.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Shtetet e Bashkuara tha se harta e së premtes “e paraqet njërën nga shtrirjet më të gjera të paralajmërimeve dhe udhëzimeve për mot dimëror ndonjëherë”.
Temperatura në Elk Park të Montanës ra në -45 gradë, ndërsa qyteza Hell në Michigan është ngrirë.
Në Dakotën Jugore, amerikanët nativë, të ngujuar nga bora, i kanë djegur rrobat për t’u ngrohur, pasi kanë mbetur pa karburante, thanë zyrtarët fisnorë.
Reshje të dendura të borës janë parashikuar në zona të Pensilvanisë dhe Michigan-it. Në Buffalo të Nju Jorkut pritet të bjerë borë deri në 89 centimetra.
Disa njerëz që kanë vdekur nga vështirësitë e shkaktuara nga stuhia, raportohet se kanë pësuar në aksidente trafiku, përfshirë një aksident zinxhiror me 50 vetura në Ohio, ku vdiqën dy persona.
Më shumë se 5.600 fluturime u anuluan në Shtetet e Bashkuara të premten, sipas faqes për përcjelljen e fluturimeve, “FlightAware”, kur pasagjerët po mundohen të kthehen në shtëpi për festa.
Në Denver të Kolorados, temperatura të enjten ra në -24, më e ulëta që nga vitet nëntëdhjetë. Në Nashville të Tennessee-s, temperatura ra nën zero për herë të parë në 26 vitet e fundit.
