Rrëshqitja e dheut zë dy anije në Amazonën e Perusë, 12 të vdekur e rreth 50 të zhdukur
Së paku 12 njerëz kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë janë ende të zhdukur, pasi rrëshqitja e dheut zuri dy anije të ankoruara në një port lumi në rajonin malor të Amazonës në Peru, sipas raportimeve të mediave lokale.
Rrëshqitja e dheut e shkaktoi përmbytjen e një trageti dhe dëmtoi seriozisht një anije tjetër pasagjerësh në të cilën ndodheshin dhjetëra njerëz, sipas një raporti të policisë që e citoi agjencia e lajmeve “Andina”, transmeton televizioni BBC.
Rasti ndodhi rreth orës 5 të mëngjesit sipas kohës lokale, kur pasagjerët pritej të zbrisnin nga anijet të hënën në Iparia, në rajonin qendror Ucayali.
Personat e lënduar janë dërguar në spital, ndërsa policia dhe forcat detare po bëjnë kërkime për më shumë të mbijetuar. Ka frikë se në mesin e të zhdukurve ka edhe fëmijë.
Rrëshqitja e dheut u shkaktua nga erozioni i bregut të lumit Ucayali, sipas Qendrës Kombëtare për Operacione të Emergjencave.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, rreth 50 persona ndodheshin në njërën prej anijeve. Një zyrtar i forcave detare i tha kësaj agjencie se operacionet e shpëtimit janë penguar nga uji që rrjedh shpejt në lumë.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se në mesin e pasagjerëve kishte fëmijë, mësues e mjekë.
Autoritetet janë duke punuar me familjet e mbledhura në vendin e ngjarjes për të përcaktuar saktësisht se edhe sa njerëz duhet të gjenden./Nacionale