Rrëshqitja e dheut shkakton shembje të autostradës në Suedi, disa të lënduar
Një copë e madhe e një autostrade në pjesën jugperëndimore të Suedisë u shemb gjatë natës së kaluar, duke u shkaktuar lëndime të lehta tre personave, tha të shtunën policia suedeze.
Rrëshqitja e dheut e dëmtoi autostradën që e lidh qytetin e dytë më të madh suedez, Gothenburg, me kryeqytetin norvegjez, Oslo, afër qytezës së vogël, Stenungsund, rreth 50 kilometra në veri të Gothenburgut, në bregdetin perëndimor të Suedisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Pjesët më të goditura të zonës së rrëshqitjes së dheut janë me sipërfaqe prej rreth 150 me 100 metra. Gjithsej, megjithatë, rrëshqitja e dheut ka prekur një zonë me sipërfaqe prej 700 me 200 metra”- thuhet në një deklaratë të Shërbimeve të Shpëtimit në Gothenburg.
Rrëshqitja e dheut preku rreth dhjetë automjete, një zonë pyjore dhe një zonë biznesi me një pompë karburantesh e një restorant me ushqim të shpejtë, njoftuan autoritetet e shpëtimit.
“Një numër njerëzish janë ndihmuar për të dalë nga automjetet në zonën e rrëshqitjes me ndihmën e personelit të zjarrfikësve dhe një helikopteri”- thuhet më tej në deklaratë.
Disa vetura dhe një kamion kishin rënë në vrimat dhe të çarat e shkaktuara nga rrëshqitja e dheut, raportoi agjencia suedeze e lajmeve, TT.
Një zëdhënës i shërbimeve të shpëtimit i tha televizionit publik, STV, se të gjithë personat që ndodheshin në automjete janë ndihmuar për të dalë prej tyre.
Shërbimet e shpëtimit thanë se stafi i trajnuar në mënyrë të posaçme dhe qentë për kërkim do ta kontrollojnë zonën dhe se nuk mund të përjashtohet rrëshqitja e mëtejme e dheut.