Rrëmbehen mbi 280 nxënës në Nigeri
Më shumë se 280 nxënës nigerianë janë rrëmbyer në qytezën veriperëndimore të Nigerisë, Kuriga, thonë zyrtarët e këtij shteti.
Një dëshmitar tha se rreth orës 8 e 30 minuta të mëngjesit, dhjetëra persona të armatosur erdhën me motoçikleta pranë shkollës.
Nxënësit, mes moshave 8 dhe 15-vjeçare, u morën nga ta, bashkë me një mësues, shtoi dëshmitari, raporton televizioni BBC.
Bandat e rrëmbimeve, të njohura si banditë, kanë rrëmbyer qindra njerëz viteve të fundit, sidomos në pjesën veriperëndimore të Nigerisë.
Megjithatë, është shënuar pakësim i rrëmbimeve masive të fëmijëve gjatë vitit të kaluar, deri këtë javë.
Rrëmbimi masiv i nxënësve u konfirmua nga Uba Sani, guvernator i shtetit Kaduna, ku shtrihet qyteza Kuriga.
Ai tha se 187 nxënës ishin zhdukur nga një shkollë e mesme dhe 125 të tjerë nga një shkollë fillore lokale, por 25 prej tyre tashmë ishin kthyer.
Ndërkohë, dëshmitarët thanë se një vajzë ishte qëlluar nga personat e armatosur dhe po merrte përkujdesje mjekësore në spitalin “Birnin Gwari”.
Një mësues, që kishte arritur t’u ikte bandave, tha se banorët lokalë ishin përpjekur që t’i shpëtonin fëmijët, por ata u sprapsën nga personat e armatosur dhe një njeri u vra.
Mendohet se pothuajse secila familje në qytezë ka një fëmijë në mesin e të rrëmbyerve dhe forcat e armatosura kanë nisur një operacion për t’i gjetur ata.