Rrëmbehen 50 persona në Nigeri, shumica gra - NACIONALE

Rrëmbehen 50 persona në Nigeri, shumica gra

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryengritësit e dyshuar islamikë rrëmbyen 50 persona, kryesisht gra, në verilindje të Nigerisë këtë javë, thanë të mërkurën zyrtarë lokalë dhe një banor.

Ky është rrëmbimi më i ri masiv nga luftëtarët që kanë zhvilluar një kryengritje për më shumë se një dekadë, raporton agjencia “Reuters”.

Luftëtarët e grupeve Boko Haram dhe Provinca Islamike e Afrikës Perëndimore kanë operuar kryesisht në rajonin Borno, në verilindje të Nigerisë, duke vënë në shënjestër forca të sigurisë dhe civilë, duke vrarë e duke zhvendosur gjatë operacioneve dhjetëra mijëra njerëz.

Incidenti i fundit ndodhi të hënën në zonën e largët, Gamboru, që kufizohet me Çadin dhe Kamerunin, tha një zyrtar i Task-forcës së Përbashkët Civile, e cila e ndihmon ushtrinë për t’i luftuar xhihadistët.

Zyrtari, i cili refuzoi që të identifikohej, sepse nuk ishte i autorizuar për të folur me media, tha se grupi prej të paktën 50 personave nga një kamp për persona të zhvendosur kishin shkuar për të mbledhur dru për zjarr në brigjet e Liqenit Çad, ku Provinca Islamike e Afrikës Perëndimore njihet për operim.

Ata u zunë në pritë nga persona të armatosur dhe u detyruan që të ecnin nëpër rrugë me shkurre drejt Çadit fqinj, tha zyrtari, duke shtuar se tri prej grave të rrëmbyera ia dolën të iknin.

Ushtria e Nigerisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Falmata Bukar, njëra nga tri gratë që arritën të iknin, i tha agjencisë “Reuters” përmes telefonit se personat e armatosur “na kishin rrethuar dhe na u kërkua që të shkonim pas tyre në shkurre”. Ajo tha se më vonë, të martën, arriti të ikte bashkë me dy gra të tjera.

Lajme të ngjashme