Rimbursimet e taksave të “Ditës së Çlirimit” të Trumpit shkojnë në 100 miliardë dollarë
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, u ka paguar bizneseve 100 miliardë dollarë si pjesë e rimbursimit nga taksa e “Ditës së Çlirimit” përmes zyrtarëve doganorë amerikanë.
Kjo shumë paraqet rreth 60 për qind të të gjitha të hyrave nga taksa që është mbledhur nga qeveria si pjesë e kësaj politike, sipas një dokumenti nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e ShBA-së, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të hollave mbeten të papaguara. Gati 29 miliardë dollarë e rimbursimit të mundshëm janë duke iu nënshtruar rishikimit nga autoritetet tregtare, ndërsa 1,6 miliardë dollarë mbeten të bllokuara, sepse importuesit nuk i kanë ofruar ende të dhënat e tyre bankare.
Rimbursimet vijnë pas një vendimi domethënës të Gjykatës Supreme të ShBA-së në shkurt, në të cilin gjykatësit vlerësuan se taksat e gjera ndaj importeve, të vendosura sipas kompetencave ekonomike, ishin të paligjshme.
Shtëpia e Bardhë kishte cituar një ligj të vitit 1997, Akti i Kompetencave Ekonomike Emergjente Ndërkombëtare, që i jep presidentit pushtet për ta “rregulluar” tregtinë si kundërpërgjigje ndaj një urgjence.
Megjithatë, këto masa nxitën zemërim brenda e jashtë vendit nga kompanitë që u përballën me rritje të papritur të taksave ndaj dërgesave që hynin në ShBA dhe nxitën shqetësim se taksat do të sillnin çmime më të larta.
Që nga vendimi i Gjykatës Supreme, disa korporata të mëdha amerikane tashmë kanë pranuar shuma të mëdha parash si rimbursim.
Kompania “Amazon” pranoi rreth 600 milionë dollarë rimbursim gjatë çerekut të dytë të vitit, sipas shefit të financave, Brian Olsavsky./Nacionale