Rikthimi i Trumpit mund t’i japë goditje të rëndë ekonomisë së lodhur gjermane
Gjermania mund të jetë humbësja e madhe, nëse një presidencë e republikanit amerikan, Donald Trump, do të nxiste një luftë hakmarrëse mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Fuqia industriale dikur e lakmuar e Gjermanisë mund të bëhet dobësi akute.
Ish-presidenti Trump ka përmendur plane për taksa të gjera prej 10 deri në 20 për qind ndaj pothuajse të gjitha importeve, si dhe taksa prej 60 për qind ose më shumë ndaj mallrave që vijnë nga Kina. Sipas tij, këto masa do ta fuqizonin prodhimin në ShBA, raporton agjencia “Reuters”.
Në një raport të institutit ekonomik gjerman, IW – që i është ofruar në mënyrë ekskluzive agjencisë “Reuters” – vlerësohet se nëse administrata e Trumpit do të vendoste taksa prej 20 për qind ndaj BE-së dhe nëse blloku do të hakmerrej në mënyrë të ngjashme, prodhimi vendës bruto në Eurozonë do të zvogëlohej për 1,3 për qind më 2027 dhe 2028, ndërsa në Gjermani rënia do të ishte për 1,5 për qind.
Sipas hulumtimit, efektet negative ndaj GDP-së së Bashkimit Evropian rriten nga viti 2025 deri më 2028, ndërsa efektet ndaj GDP-së së Shteteve të Bashkuara janë më të fuqishme në dy vitet e para, kur GDP-ja do të binte për 1,3 për qind me taksa prej 10 për qind dhe për 1,5 për qind me taksa prej 20 për qind më 2025.
Efektet ndaj GDP-së së ShBA-së zvogëlohen me kalimin e kohës për shkak të rënies së importeve amerikane më shumë se të eksporteve në këtë skenar, duke dhënë një efekt gjithnjë më pozitiv në tregtinë e Shteteve të Bashkuara.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, këtë vit do të jetë shteti i vetëm i Grupit G7 që do të dështojë që të rritet për dy vjet rresht, sipas parashikimit më të ri nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një konflikt tregtar me ShBA-në, që është partnerja kryesore tregtare, do t’i jepte një goditje të madhe prodhimit.
“Nëse e merrni pikëpamjen që e kam unë, se stimulimi në Kinë do të jetë zhgënjim, atëherë Gjermania nuk do të shpëtohet nga rikthimi i rritjes në Kinë, e nëse ShBA-ja bëhet edhe më proteksioniste, burimet afatshkurta të rritjes për Gjermaninë janë shumë të pakta” – tha Jacob Funk Kirkegaard nga Instituti “Bruegel dhe Peterson” për Ekonomi Ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara ia zunë këtë vit vendin Kinës si partnerja më e madhe tregtare, pasi Kina për tetë vjet e kishte mbajtur vendin e parë.
“Gjysma e rritjes së Gjermanisë gjithmonë vjen nga eksportet dhe nëse shikoni se çfarë është duke ndodhur në botë, duhet të thoni se kjo shtyllë është nën sulm” – tha më herët këtë muaj ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, gjatë prezantimit të parashikimeve ekonomike të kabinetit qeveritar.
Eksportet e Gjermanisë u tkurrën për 0,3 për qind më 2023 për shkak të kërkesës së dobët globale dhe tensioneve gjeopolitike. Qeveria pret tkurrje prej 0,1 për qind këtë vit.
Sipas një studimi të Institutit Ifo, eksportet gjermane në Kinë mund të zvogëlohen për gati 9,6 për qind, nëse ndodh një luftë tregtare mes ShBA-së dhe Kinës.
Sipas hulumtimit të njëjtë, eksportet gjermane në ShBA mund të pakësohen për 14,9 për qind, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin taksë prej 60 për qind ndaj mallrave nga Kina dhe taksë prej 20 për qind ndaj mallrave të shteteve të tjera./Nacionale