“Reuters”: Sulme me rreze të gjatë, tepër vonë për ta shpëtuar Ukrainën?
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i autorizuar sulmet ukrainase me rreze të gjatë do të mund ta ndihmonin Kievin që ta mbrojë pozicionin në rajonin Kursk të Rusisë, që e ka kapur si levë, në bisedime të mundshme të paqes, por mund të vijë shumë vonë për ta ndryshuar rrjedhën e luftës, i thanë analistët agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Analistët ushtarakë thanë se ndikimi në fushën e betejës, ku Ukraina ka qenë duke u mbrojtur me muaj, do të varet nga kufizimet që do të mbeten në fuqi. Megjithatë, përderisa ndryshimi mund ta përkrahë operacionin në Kursk, ka pak gjasa që ta ndryshojë lojën në përgjithësi, raporton agjencia “Reuters”.
“Vendimi vjen vonë, dhe si vendimet e tjera në këtë venë, ai mund të jetë shumë i vonuar për ta ndryshuar në mënyrë thelbësore rrjedhën e luftimeve” – tha Michael Kofman nga organizata “Carnegie Endowment for International Peace” në Uashington.
“Sulmet me rreze të gjatë gjithmonë ishin një pjesë e mozaikut dhe kanë qenë tepër të ngarkuara me pritshmëri në këtë luftë” – shtoi ai.
Një zyrtar i mbrojtjes nga Evropa Qendrore i tha agjencisë “Reuters” se këto sulme do t’i ofrojë Kievit gjasa më të mira për ta mbrojtur veten nga sulmet ajrore, por nuk do ta ndryshojnë konfliktin në mënyrë vendimtare në favor të Ukrainës.
Ai shtoi se Rusia tashmë kishte zhvendosur shumë prej aseteve të saj ajrore përtej rrezes së armëve perëndimore në Ukrainën, edhe pse rrezja mund të mbulojë pjesë përtej zonën së Kurskut që është pushtuar nga forcat ukrainase.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se ai “nuk do ta hapë ende shampanjën”, pasi nuk ishte e ditur se sa raketa kanë ukrainasit dhe nëse kanë mjaftueshëm për të ndikuar në fushën e betejës.
Në të kaluarën, Uashingtoni është luhatur me muaj para se t’ia miratojë Ukrainës dhënien e raketave me rreze të gjatë, tankeve e aeroplanëve.
Disa analistë ushtarakë thonë se vonesat e tilla i dhanë Moskës kohë për ta marrë veten nga dështimet e hershme dhe për ta përforcuar mbrojtjen e territorit të pushtuar, duke kontribuuar në dështimin e një kundërsulmi domethënës ukrainas vitin e kaluar.
Rob Lee nga Instituti Hulumtues për Politikë të Jashtme me seli në Filadelfia tha se do të jetë vështirë për Ukrainën që ta mbajë territorin që e ka nën kontroll në Kursk në aspektin afatgjatë, por fati i saj atje do të varet nga burimet.
Franca dhe Britania nuk kanë treguar nëse do t’i pasojnë amerikanët duke e lejuar Ukrainën që të përdorë raketa “Hija e Stuhisë/SCALP”, që kanë rreze veprimi prej 250 kilometrash.
Rrugëve të Kievit të hënën, përshtypja e përgjithshme ishte që vendimi i Shteteve të Bashkuara do të ofrojë ndihmë, por se ai ka ardhur shumë vonë.
“Ky do të duhej të përdorej qoftë si masë parandaluese, qoftë si reagim i mprehtë në shkurtin ose marsin e vitit 2022. Tani nuk luan rol të madh” – tha 21-vjeçarja Olga Korovyachuk./Nacionale