“Reuters”: S’ka marrëveshje për armëpushim në Gaza në bisedimet e Kajros, procesi vazhdon
Të dielën nuk u arrit marrëveshje në bisedimet për armëpushim në Gaza, që u mbajtën në Kajro të Egjiptit. As Hamasi, as Izraeli nuk u pajtuan me disa compromise të paraqitura nga ndërmjetësit, thanë dy burime egjiptiane të sigurisë, duke shprehur dyshim mbi gjasat për sukses në përpjekjen e mbështetur nga ShBA-ja për t’i dhënë fund luftës 10-mujore.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i përshkroi bisedimet si “konstruktive”, duke thënë se ato u zhvilluan në frymën që të gjitha palët të arrinin “një marrëveshje përfundimtare dhe të zbatueshme”, raporton agjencia “Reuters”.
“Procesi do të vazhdojë ditëve të ardhshme përmes grupeve punuese për t’i adresuar më tej çështjet dhe hollësitë e mbetura” – tha ky zyrtar, duke folur në kushte anonimiteti dhe duke shtuar se ekipet do të qëndrojnë në Kajro.
Duke folur në një konferencë për gazetarë në Kanada, këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, tha se Uashingtoni ende ishte duke punuar “me ethe” në Kajro për të siguruar një marrëveshje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.
Ndërmjetësit paraqitën një numër alternativash për praninë e forcave izraelite në Korridorin Filadelfi dhe në Korridorin Netzarim, që e ndan Gazën në dy pjesë, por asnjëra prej tyre nuk u pranua nga palët, thanë burimet egjiptiane.
Izraeli gjithashtu shprehu rezerva për disa të ndaluar palestinezë, lirimin e të cilëve po e kërkon Hamasi, dhe pala izraelite e kërkoi nxjerrjen e tyre nga Gaza, nëse lirohen, thanë më tej burimet.
Të dielën, zyrtarë të lartë nga Izraeli u bën përsëri pjesë e bisedimeve për t’i adresuar çështjet e mbetura me përkrahjen e ndërmjetësve, tha zyrtari i lartë amerikan, por nuk ofroi një vlerësim përfundimtar për atë nëse kishte ndonjë hap të madh përpara apo jo.
Hamasi tha se Izraeli është tërhequr nga një zotim për t’i tërhequr trupat nga Korridori Filadelfi dhe ka paraqitur kushte të reja, përfshirë kontrollimin e palestinezëve të zhvendosur gjatë kthimit në pjesën veriore të enklavës, kur të fillojë armëpushimi.
“Ne nuk do të pranojmë diskutime për tërheqjen nga ajo që u pajtuam më 2 korrik ose për kushte të reja” – tha të dielën zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan./Nacionale