"Reuters": ShBA-ja planifikon që t’i pakësojë forcat në dispozicion për NATO-n gjatë krizave
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke planifikuar që t’u thotë aleatëve të NATO-s këtë javë se do t’i zvogëlojë kapacitetet ushtarake që ShBA-ja do t’i kishte në dispozicion për t’u asistuar vendeve evropiane të aleancës në ndonjë krizë të madhe, thanë tri burime të afërta me çështjen.
Sipas një kornize të njohur si Modeli i Forcës së NATO-s, shtetet anëtare identifikojnë një rezervë të forcave në dispozicion që do të mund të aktivizoheshin gjatë një konflikti ose ndonjë krize tjetër të madhe, si për shembull një sulm ushtarak ndaj një shteti të aleancës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përderisa përbërja e saktë e këtyre forcave në rast lufte është sekret që ruhet fort, Pentagoni ka vendosur që në masë domethënëse ta zvogëlojë përkushtimin e vet, thanë burimet, të cilat kërkuan që të mbeten anonime.
Trumpi ka bërë të qartë se pret që vendet evropiane ta marrin përsipër nga Shtetet e Bashkuara përgjegjësinë parësore për sigurinë e kontinentit. Mesazhi që pritet t’u jepet aleatëve këtë javë është shenjë konkrete se kjo politikë po zbatohet.
Disa hollësi ishin të paqarta, si ajo se sa shpejt planifikon Pentagoni që t’ua dorëzojë aleatëve evropianë përgjegjësitë në raste krizash. Megjithatë, burimet thanë se Pentagoni planifikon që ta bëjë të ditur synimin për tkurrjen e zotimit në një takim të shefave të politikave të mbrojtjes të premten në Bruksel.
Shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, ka thënë publikisht se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që t’i përdorin armët bërthamore për t’i mbrojtur vendet e NATO-s, edhe kur aleatët evropianë ta marrin drejtimin e forcave konvencionale.