“Reuters”: ShBA-ja ka propozuar një marrëveshje të re, më të gjerë, për mineralet e Ukrainës - NACIONALE

“Reuters”: ShBA-ja ka propozuar një marrëveshje të re, më të gjerë, për mineralet e Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka propozuar një marrëveshje të re, më të gjerë, për mineralet me Ukrainën, sipas tre personave të afërt me bisedimet që janë duke u zhvilluar dhe me një përmbledhje të një draft-propozimi të siguruar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara e kanë rishikuar propozimin fillestarë të tyre, thanë burimet, dhe në të nuk i jepen Ukrainës garanci të sigurisë, por i kërkohet që të kontribuojë në një fond të përbashkët me të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore të menaxhuara nga ndërmarrje publike e private në mbarë territorin ukrainas, raporton agjencia “Reuters”.

Kushtet e vendosura nga Uashingtoni shkojnë dukshëm përtej marrëveshjes së diskutuar disa ditë para përplasjes publike në Zyrën Ovale muajin e kaluar mes presidentëve Donald Trump e Volodymyr Zelensky.

Sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, ka qenë duke i udhëhequr bisedimet për Shtetet e Bashkuara, tha njëri nga burimet.

Bessent-i nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Në propozim nuk përmendet marrja në pronësi nga ShBA-ja e centraleve bërthamore të Ukrainës, sipas përmbledhjes, diçka për të cilën ka folur Trumpi.

Presidenti amerikan ka thënë se një marrëveshje për mineralet do të ndihmojë për të siguruar një marrëveshje të paqes duke u dhënë Shteteve të Bashkuara hise financiare në të ardhmen e Ukrainës. Ai gjithashtu e sheh këtë pak si mënyrë për të rikthyer një pjesë të dhjetëra miliarda dollarëve që Uashingtoni ia ka dhënë Ukrainës përmes ndihmave financiare e ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus para tre vjetëve.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, James Hewitt, refuzoi që t’i komentonte kushtet e propozimit të ri, por tha se marrëveshja do ta fuqizonte marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

“Marrëveshja për mineralet ia ofron Ukrainës mundësinë për të formuar një marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike me Shtetet e Bashkuara që është bazë për siguri dhe paqe afatgjate” – tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Zelensky u tha gazetarëve të martën se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar një marrëveshje të re “të madhe” dhe se zyrtarët ukrainas ishin ende duke i analizuar kushtet e saj.

Presidenti ukrainas tha të enjten se Shtetet e Bashkuara “vazhdimisht” po i ndryshonin kushtet e marrëveshjes së propozuar për mineralet, por shtoi se ai nuk dëshiron që Uashingtoni të mendonte se Kievi ishte kundër paktit./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme