“Reuters”: Rusia prodhon dronë kamikazë me motorë kinezë - NACIONALE

“Reuters”: Rusia prodhon dronë kamikazë me motorë kinezë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia vitin e kaluar e nisi prodhimin e një droni të ri sulmues me rreze të gjatë, “Garpiya-A1”, duke përdorur motorë dhe pjesë kineze. Moska i ka dislokuar këta dronë në luftën e Ukrainës, sipas dy burimeve të një agjencie evropiane të inteligjencës dhe dokumenteve që i ka parë agjencia “Reuters”.

Të dhënat e inteligjencës, ku përfshihen një kontratë për prodhimin e dronit të ri, korrespondenca e kompanisë rreth procesit të prodhimit dhe dokumente financiare, tregojnë se “IEMZ Kupol”, filial i prodhuesit shtetëror rus të armëve, “Almaz-Antey”, ka prodhuar më shumë se 2.500 dronë të tipit “Garpiya” nga korriku i vitit 2023 deri në korrikun e këtij viti, raporton agjencia “Reuters”.

Ekzistenca e dronit të ri rus që ka të inkorporuar teknologji kineze nuk është raportuar më parë. Prodhuesit “IEMZ Kupol” dhe “Almaz-Antey” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Dy burimet e inteligjencës thanë se dronët “Garpiya” janë dislokuar kundër caqeve ushtarake e civile në Ukrainë, duke shkaktuar dëm në infrastrukturën kritike si dhe pasoja në njerëz te civilët dhe ushtarët.

Burimet kërkuan që as ato, as agjencia e tyre të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave. Ato gjithashtu kërkuan që të mos publikohen hollësi të caktuara, si datat, që ndërlidhen me dokumentet.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte thënë në maj të vitit të kaluar se Irani, që nuk ka komentuar për këtë artikull, e kishte furnizuar Rusinë me më shumë se një mijë dronë kamikazë të tipit “Shahed” që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.

Këta dronë janë përdorur për ta dëmtuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për ta goditur infrastrukturën larg vijave të frontit. Irani në mënyrë të përsëritur ka mohuar se i dërgon Rusisë dronë për përdorim në luftën e Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë artikull. Ministria e Jashtme e Kinës i tha agjencisë “Reuters” në një deklaratë se Pekini e kontrollon në mënyrë të rreptë eksportimin e produkteve me zbatim të mundshëm ushtarak, përfshirë dronët.

“Sa i përket krizës ukrainase, Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për promovimin e bisedimeve të paqes dhe zgjidhjes politike” – thuhet në deklaratë, ku shtohet se nuk ekzistojnë kufizime ndërkombëtare ndaj tregtisë së Kinës me Rusinë./Nacionale

Lajme të ngjashme