“Reuters”: Rusët në Serbi blejnë në dyqane ruse - NACIONALE

“Reuters”: Rusët në Serbi blejnë në dyqane ruse

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në një mëngjes të nxehtë vere në kryeqytetin serb, Beograd, Vadim Morus, patinazhist profesionist nga Rusia, po rrëshqet në një hapësirë të jashtme për rrëshqitje. Morusi ndodhet 1.600 kilometra larg vendlindjes së tij, Moskës, por po fillon që të ndihet si në shtëpi.

Ai kishte ikur nga Rusia me të fejuarën më 2022, si pjesë e një vale të dhjetëra mijërave që erdhën në Serbi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Është rrugë e gjatë për t’u bërë, por shumë prej tyre e zgjodhën Beogradin për shkak të lidhjeve të tij të lashta kulturore e fetare me Moskën, raporton agjencia “Reuters”.

“Ka pak patinazhistë në Serbi që mund të trajnojnë të tjerë, prandaj kam shumë nxënës serbë” – tha 24-vjeçari rus.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, rusët që po iknin nga konflikti, rekrutimi ose politika e presidentit Vladimir Putin, kanë themeluar një komunitet të gjallëruar në Serbi, sipas intervistave me më shumë se 20 emigrantë e zyrtarë lokalë.

Përderisa numri i tanishëm i rusëve në Serbi është më i vogël se i atyre që kanë shkuar në vende të tjera, si Gjermania, prania e tyre ndihet shumë në Beograd, qytet me më pak se dy milionë banorë.

Klubet, çerdhet dhe praktikat mjekësore me pronarë rusë kanë lulëzuar. Rusët blejnë ushqim në dyqane ruse. Bendet, këngëtarët dhe humoristët rusë po performojnë në klube ruse, ndërsa artistët rusë i shfaqin veprat e tyre në galeri që kanë pronarë rusë.

Mes shkurtit të vitit 2022 dhe mesit të vitit 2023, më shumë se 30 mijë rusë u regjistruan për banim të përkohshëm në Serbi, sipas të dhënave më të reja të Ministrisë së Brendshme. Zyrtarët nuk ofruan të dhëna për periudhën krahasuese para kësaj, por thanë se shifra paraqet rritje të konsiderueshme.

Gjatë këtij fluksi, rusët hapën 11 mijë e 81 biznese në sektorë të ndryshëm, nga shërbimet me bazë në internet deri te gastronomia e shkollat e sportit, sipas regjistrit serb të bizneseve.

Klientela ruse

Viktori, 42 vjeç, veteriner nga Shën Petersburgu, iku nga mobilizimi rus në vjeshtën e vitit 2022. Pa kualifikimet e nevojshme për ta ushtruar profesionin në Serbi, ai punon si zejtar në Beograd, duke u shërbyer ekskluzivisht rusëve.

“Unë i riparoj pajisjet hidraulike, instalimet e rrymës, dritaret, madje bëj mobilie. Nuk më nevojiten vërtet klientë serbë” – tha Viktori, që kërkoi të mos i publikohej emri i plotë nga frika për sigurinë e familjes së tij në Rusi.

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë datojnë shekuj më parë dhe mbeten të ngrohta edhe sot, edhe pse Serbia gjithashtu po mundohet që të anëtarësohet në BE, bllok që e dënon pushtimin rus të Ukrainës.

Pas Luftës së Parë Botërore, mijëra të ashtuquajtur rusë të bardhë kishin ikur nga komunizmi gjatë luftës civile dhe ishin vendosur në të porsathemeluarën Mbretëri Serbo-Kroato-Sllovene.

Prapëseprapë, shumë rusë kanë vështirësi për t’u integruar dhe parapëlqejnë që të qëndrojnë në njëfarë mini-Rusie brenda Serbisë. Në mënyrë ironike, shumë serbë e përkrahin Putinin dhe nuk i ndajnë pikëpamjet me ata që kanë ikur nga atdheu i tyre.

“Thirrja e kulturës ruse është shumë e fortë për imigrantët rusë në gjeneratën e parë madje edhe për të dëshiruar që të përshtatesh në shoqërinë ku e kanë gjetur veten, pavarësisht nga ajo nëse ajo është serbe ose perëndimore” – tha politologu serb, Aleksandar Djokic.

Patinazhisti Morus ngurroi që të hynte në hollësi për arsyet e tij të largimit nga Rusia, por e fejuara e tij, Alexandra Mashkanova, tha disa fjalë.

“Ne u larguam për arsye ideologjike. Pak ditë pas 24 shkurtit [2022], po mundoheshim që të kuptonim se çfarë po ndodhte, pastaj vendosëm që të largoheshim” – tha ajo.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme