“Reuters” për planin e Trumpit për Ukrainën: Koncesione territoriale, NATO-ja jashtë tavolinës
Këshilltarët e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, janë duke vënë publikisht e privatisht në qarkullim propozime për përfundimin e luftës në Ukrainë, sipas të cilave Kievi do t’i dorëzonte Rusisë pjesë të mëdha të vendit në të ardhmen e parashikueshme, sipas një analize të deklaratave të tyre nga agjencia e lajmeve “Reuters” dhe sipas intervistave me disa persona të afërt me Trumpin.
Propozimet e tre këshilltarëve kyçë, përfshirë emisarin në ardhje të Trumpit për luftën Rusi – Ukrainë, gjeneralin e pensionuar, Keith Kellogg, ofrojnë disa elemente, përfshirë heqjen nga tavolina të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, raporton agjencia “Reuters”.
Këshilltarët e Trumpit do të mundoheshin që t’i detyrojnë Moskën e Kievin për të hyrë në bisedime me “karota e shkopinj”, përfshirë ndërprerjen e ndihmave ushtarake për Ukrainën, nëse ajo nuk pajtohet që t’i fillojë bisedimet, por edhe shtimin e tyre, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, refuzon që të hyjë në negociata.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ballafaquar me mungesë ushtarësh e shtim të humbjeve territoriale, ka lënë të kuptohet se ai mund të jetë i hapur për bisedime.
Ndonëse ende me synim anëtarësimin në NATO, ai tha këtë javë se Ukraina duhet të gjejë zgjidhje diplomatike për t’i rimarrë disa prej territoreve të pushtuara.
Sidoqoftë, Trumpi mund të ballafaqohet me Putinin e painteresuar për t’u angazhuar, thanë disa analistë dhe ish-zyrtarë amerikanë, pasi Ukraina është duke u sprapsur dhe ai mund të ketë më shumë për të fituar duke i ndjekur triumfet territoriale.
“Putini nuk e ka për ngut” – tha Eugene Rumer, ish-analist i lartë amerikan i inteligjencës rreth Rusisë, tani pjesë e organizatës “Carnegie Endowment for International Peace”.
Sipas tij, presidenti rus nuk po shfaq gatishmëri për t’i hedhur poshtë kushtet e veta për armëpushim dhe bisedime, përfshirë tërheqjen e Ukrainës nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO dhe dorëzimin e katër provincave për të cilat Putini pretendon se janë pjesë e Rusisë, por që nuk i kontrollon plotësisht. Kjo kërkesë refuzohet nga Kievi.
Analisti Rumer tha se Putini me gjasë do ta presë kohën e vet, do të marrë më shumë terren dhe do të shikojë se çfarë koncesione mund t’i ofrojë Trumpi, nëse i ofron ndonjë, për ta joshur që të ulet në tavolinën e bisedimeve.
Agjencia “Reuters” kishte raportuar në muajin maj se Putini ishte i gatshëm për ta ndalur luftën përmes një armëpushimi të negociuar që do t’i njihte vijat aktuale të frontit, por se ishte gjithashtu i gatshëm për ta vazhduar luftën, nëse Kievi dhe Perëndimi nuk do t’i përgjigjeshin propozimit.
Richard Grenell, ish-emisar amerikan për dialogun Kosovë – Serbi dhe ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, e ka mbrojtur themelimin e “zonave autonome” në lindje të Ukrainës. Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është në interesin e Amerikës.
Grenelli, i cili nuk iu përgjigj një kërkese për koment, ende nuk ka siguruar një post në administratën e re të Trumpit, edhe pse ende dëgjohet nga Trumpi për çështje evropiane, i tha agjencisë “Reuters” një këshilltar i lartë për politikë të jashtme i Trumpit.
Ky person tha se Grenelli ishte njëri nga pak njerëzit që ishin të pranishëm në një takim mes Trumpit e Zelenskyt në Nju-Jork në shtator./Nacionale/Nasuf Abdyli