“Reuters”: Një ekip i Mossadit ndodhet në Katar për ta diskutuar rikthimin e armëpushimit - NACIONALE

“Reuters”: Një ekip i Mossadit ndodhet në Katar për ta diskutuar rikthimin e armëpushimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ekip i shërbimit izraelit të inteligjencës, Mossad, të shtunën ndodhet në Doha të Katarit për bisedime me ndërmjetësuesit e këtij shteti për një pauzë tjetër të luftimeve në Gaza, tha një burim i informuar për këtë vizitë.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari u përqendruan në lirimin e mundshëm të kategorive të reja të pengjeve izraelite, përpos grave e fëmijëve, si dhe në parametrat e një armëpushimi, për të cilët burimi tha se dallojnë nga marrëveshja e kaluar, që u ndërpre të premten, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli dhe Hamasi kanë qenë duke shqyrtuar parametra të reja për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin edhe para dështimit të tij të premten.

Përmes pauzës së luftimeve, që kishte nisur më 24 nëntor, Hamasi liroi gra e fëmijë që ishin marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, përfshirë disa gra, që po mbaheshin në burgje izraelite.

Izraeli dhe Hamasi e kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e armëpushimit, i cili zgjati një javë dhe afati i ishte zgjatur dy herë para se ndërmjetësit të dështonin që të gjenin një rrugë për zgjatjen e tretë.

Autoritetet izraelite e kanë akuzuar Hamasin se ka refuzuar që t’i lirojë të gjitha gratë që është duke i mbajtur. Një zyrtar palestinez tha se prishja e armëpushimit ndodhi për shkak të ushtareve izraelite.

Lajme të ngjashme