“Reuters”: Miliarda në bankënota dollarë e euro kanë arritur në Rusi pavarësisht sanksioneve - NACIONALE

“Reuters”: Miliarda në bankënota dollarë e euro kanë arritur në Rusi pavarësisht sanksioneve

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Rreth 2,3 miliardë dollarë në bankënota të dollarëve dhe eurove janë dërguar në Rusi që nga koha kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e ndaluan eksportimin e bankënotave të tyre atje në mars të vitit 2022, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, sipas të dhënave të doganave që i ka parë agjencia “Reuters”.

Shifrat që nuk ishin raportuar më parë tregojnë se Rusia ka arritur që t’i anashkalojë sanksionet që e bllokojnë importin e parave të gatshme dhe lënë të kuptohet se dollarët dhe eurot mbeten mjete të dobishme për tregti dhe udhëtim, edhe pse Moska po has në vështirësi për ta zvogëluar shpërfaqjen ndaj valutave të qëndrueshme, raporton agjencia “Reuters”.

Të dhënat e doganave, të siguruara nga një furnizues komercial që i regjistron dhe i harton informatat, tregojnë se paratë e gatshme ishin transportuar në Rusi nga disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë, të cilat nuk kanë vendosur sanksione ndaj tregtisë me Rusinë. Vendi i prejardhjes për më shumë se gjysmën e shumës së përgjithshme nuk ishte deklaruar në të dhëna.

Qeveria amerikane në dhjetor kishte kërcënuar me ndëshkime për institucionet financiare që e ndihmojnë Rusinë për t’i anashkaluar sanksionet dhe u ka vendosur sanksione kompanive nga vende të treta gjatë viti 2023 dhe këtë vit.

Jeni i Kinës ia ka zënë vendin dollarit për t’u bërë valuta e huaj më e tregtuar në Moskë, edhe pse problemet e konsiderueshme me pagesa vazhdojnë.

Dmitry Polevoy, drejtor për investime në “Astra Asset Management” në Rusi, tha se shumë prej rusëve ende duan valuta të huaja në para të gatshme për udhëtime jashtë vendit, si dhe për importe të vogla dhe kursime brenda vendit.

“Për individët, dollari është ende valutë e besueshme” – i tha ai agjencisë “Reuters”.

Banka qendrore e Rusisë dhe autoriteti amerikan i sanksioneve, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Jashtme, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme